Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) ka ngritur alarmin për një dukuri shqetësuese që po qarkullon në internet dhe rrjete sociale – falsifikimi dhe shitja e certifikatave në emër të këtij institucioni.
Sipas njoftimit zyrtar, “janë identifikuar disa raste të falsifikimit dhe shitjes së certifikatave të rreme në emër të institucionit tonë”, duke i ekspozuar qytetarët ndaj mashtrimeve të mundshme.
APRK u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e ofertave të dyshimta, duke theksuar se çdo dokument zyrtar “është i verifikueshëm përmes kanaleve zyrtare dhe lëshohet vetëm sipas procedurave ligjore në fuqi”.
Institucioni rikujton gjithashtu se përdorimi apo blerja e dokumenteve të falsifikuara përbën vepër penale dhe dënohet me ligj.
Në fund, qytetarët ftohen që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë tek organet kompetente ose drejtpërdrejt në APRK, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mashtrimeve dhe të ruhet besueshmëria e institucioneve publike. /Pejabiznes/Pejanefokus.net
