Përleshje në ndeshjen hendbollit Besa – Llapi

Një përballje me peshë për renditjen dhe me tension të lartë u zhvillua në Banjë, ku KH Besa Famgas dhe KH Llapi barazuan 34:34 në kuadër të xhiros së 27-të.

Ndeshja u karakterizua nga rivalitet i fortë dhe incidente – në minutën e 40-të pati përleshje mes lojtarëve, duke e ndezur atmosferën në parket.

Drama kulmoi në fund: Besa udhëhiqte 33:31 në minutën e 59-të, por Llapi realizoi tre gola radhazi për përmbysje 34:33. Kur gjithçka dukej e mbyllur, skuadra pejane barazoi në sekondat e fundit për 34:34, duke shpëtuar një pikë.

Te vendasit u dalluan Deniz Terziqi me 11 gola dhe Mohamed Yassin me 10, ndërsa te Llapi më efikas ishin Victor Ramirez me tetë dhe Santos Kaique me shtatë gola.

Kjo ndeshje ishte e rëndësishme për renditjen: Besa mbetet në vendin e tretë me 38 pikë (me dy ndeshje më pak), ndërsa Llapi në vendin e katërt me 22 pikë, aq sa ka edhe Vëllaznimi.

Pas ndeshjes, KH Llapi reagoi ndaj incidenteve duke theksuar: “Racizmi dhe ofendimet nuk kanë vend në sport… lojtarët meritojnë dinjitet dhe respekt”, ndërsa kërkoi masa nga Federata e Hendbollit e Kosovës./Pejanefokus/Sport.

LEXO EDHE: