“FC Besa Peja” ka reaguar publikisht pas ndeshjes ndaj “FC Dinamo”, duke ngritur shqetësime për trajtimin e skuadrës gjatë përballjes në Ferizaj.
Klubi pejan bëri të ditur se pjesa e parë u mbyll me rezultat 0:2 në favor të tyre, ndërsa ndeshja përfundoi me përmbysje 3:2 për vendasit.
Në reagimin zyrtar, të shoqëruar edhe me fotografi të një lojtari me lëndime në trup, klubi pretendon se ato janë shkaktuar gjatë ndeshjes.

“Deri në momentin kur filluam të avanconim në rezultat, në fushë nuk kishte asnjë dallim që do të justifikonte pozitën e kundërshtarit si lider i tabelës. Ekipi ynë ishte i organizuar, konkurrues dhe i barabartë në çdo aspekt të lojës. Por, pas këtij momenti, loja mori një rrjedhë që nuk ka lidhje me futbollin që ne përfaqësojmë,” thuhet në reagim.
Sipas klubit, gjatë ndeshjes janë lejuar ndërhyrje të rënda ndaj lojtarëve pa top, është ushtruar presion ndaj gjyqtarit nga banka kundërshtare dhe vendimet në fushë kanë filluar të ndikohen.
“U detyruam të bëjmë zëvendësime për shkak të lëndimeve, të cilat në asnjë rast nuk u sanksionuan siç e kërkojnë rregullat e lojës,” thuhet më tej.
Nga Besa Peja theksojnë se reagimi nuk ka për qëllim justifikimin e rezultatit, por mbrojtjen e parimeve të sportit dhe sigurinë e lojtarëve.
Klubi njofton se do të publikojë edhe video-incizime sapo t’i ketë në dispozicion, ndërsa të gjitha materialet do t’i dorëzohen institucioneve kompetente për trajtim të mëtejmë./Pejanefokus.net./Sport.
