Doktor Bernard Tahirbegolli nga Peja ka ndarë një përvojë nga India, duke e cilësuar si moment me rëndësi simbolike për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ai thekson se, ndonëse India nuk e njeh zyrtarisht Kosovo dhe pasaportën e saj, delegacioni kosovar është pranuar me dokumentet e Kosovës.

“Prezenca është hapi i parë drejt njohjes. India nuk e njeh shtetin e Kosovës. Nuk e njeh as pasaportën tonë. E megjithatë… ne hymë atje me pasaportë të Kosovës.” – ka shkruar Tahirbegolli.
Ai shton se përvoja shkoi përtej një udhëtimi të zakonshëm.
“Nuk ishte thjesht një hyrje në një shtet tjetër… përjetimi ishte shumë më i madh.”
Sipas tij, gjatë qëndrimit në Indi, përfaqësuesit kosovarë janë trajtuar me identitet dhe dinjitet institucional në disa institucione shtetërore, përfshirë zyrën e emigracionit në Delhi, policinë kufitare, Ministrinë e Sportit dhe Agjencinë Antidoping të Indisë.
Udhëtimi lidhej me pjesëmarrjen në konferencën përmbyllëse të World Anti-Doping Agency për Inteligjencë dhe Hetime, ku morën pjesë përfaqësues nga 51 shtete. Fjalën hyrëse e mbajtën presidenti i WADA-s, Witold Bańka, dhe ministri indian i Rinisë dhe Sportit, Mansukh Mandaviya.
Tahirbegolli e përmbyll përvojën duke e quajtur një formë të re përfaqësimi ndërkombëtar.
“Sporti dhe shkenca shpesh arrijnë aty ku politika ende nuk ka mbërritur.” /Sport/Pejanefokus.net.
