I riu nga Peja, Eron Lushaj, është pranuar si kadet në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një nga institucionet më prestigjioze ushtarake në botë.
Lushaj ka bërë të ditur se pranimi i tij vjen pas një procesi të gjatë dhe sfidues përzgjedhjeje, ku janë kërkuar standarde të larta akademike, fizike dhe të lidershipit.

“Pranimi im kadet në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara përfaqëson një arritje të rëndësishme pas një procesi të gjatë dhe sfidues. Si kandidat nga Kosova, kam kaluar një përzgjedhje të rreptë me standarde të larta akademike, fizike dhe të lidershipit”, ka thënë ai për ‘Peja në Fokus’.
Sipas tij, ky sukses është rezultat i përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm në zhvillimin personal dhe udhëheqje.
“Për mua, kjo është një mundësi për të përfaqësuar Kosovën në një nga institucionet më prestigjioze ushtarake në botë”, u shpreh Lushaj.
Ai ka bërë të ditur se pas diplomimit do të rikthehet në Kosovë për të shërbyer si oficer në Forca e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar me njohuritë dhe përvojën e fituar në shërbim të vendit. /Pejanefokus.net/IMAGEofPEJA/
