Bajrakli Xhamia në Pejë: 554 vjet histori, trashëgimi dhe qëndresë

Bajrakli Xhamia është aset i trashëgimisë kulturore arkitekturore në mbrojtje. U ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit XV-të, përkatësisht në vitin 1471 në bërthamën e Çarshisë së Vjetër në Pejë.

GALERIA E FOTOGRAFIVE TË OBJEKTIT TË XHAMISË NDODHET NË LINK: 📎 

https://www.facebook.com/share/p/1CvzvB1vE8/

Donator i saj ishte Mehmet Fatihu i cili e financoi edhe Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Kjo xhami është njëra nga ndërtesat më të rëndësishme sakrale arkitektonike të periudhës osmane dhe si e tillë paraqet një dëshmi të zhvillimeve kulturore dhe arkitekturore gjatë shekullit XV-të në qytetin e Pejës.

Si ndërtesë klasike monumentale me skemë të plotë kompozicionale, posedon vlera të larta estetike që përfshijnë volume të kombinuara në eksterier, teknika kualitative të ndërtimit dhe elemente origjinale dekorative të ruajtura si në eksterier po ashtu edhe në enterierin e saj. Po ashtu veçohet si Xhamia me kuben (kupolën) më të lartë në Pejë.

Në kuadër të saj është një kompleks varresh nga të cilat shumica janë mbishkrime. Midis tyre gjenden varre të shek. XVI, XVII, XVIII dhe XIX. Brenda këtyre varrezave në anën e djathtë gjenden edhe varrezat e personaliteteve të njohura të kombit, si varri i Haxhi Zekës, i Ali Pashë Gucisë, si dhe varri i Haxhi Mustafa Beut. Varret kanë edhe nishane dekorative.

Pavarësisht se ishte nën mbrojtje, gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999 monumenti është djegur nga forcat serbe.

Por pas luftës falë organizatës italiane “Intersos” dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë në vitin 2002 Xhamia është restauruar, duke e ruajtur origjinalitetin e saj thuajse në tërësi.

Ndërhyrje konservuese restauruese ka pasur edhe nga Qeveria Turke në vitin 2018.

Vazhdon të jetë në funksion të qytetarëve të besimit islam të cilët praktikojnë ritualet shpirtërore dhe fetare. /IMAGEofPEJA/Pejanefokus.net/

LEXO EDHE: