Dhunim seksual në burgun e Dubravës në Istog

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 90

Një person i burgosur dyshohet se është rrahur dhe më pas dhunuar seksualisht nga tre persona në Qendrën Korrektuese në Dubravë të Istogut. Rasti është raportuar më 25 gusht, ndërsa viktima ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 25 gusht, rreth orës 21:00, kurse viktima thuhet se ka deklaruar se fillimisht është sulmuar fizikisht nga tre persona dhe më pas dyshohet se është dhunuar seksualisht.

Pas rastit, personi i dëmtuar është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se ndaj tre personave është iniciuar rast për veprën penale “Dhunimi”.

“Rasti ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Ndaj tre personave është iniciuar rast për veprën penale dhunimi. Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast. Për shkak të ndjeshmërisë, nuk mund të japim më shumë informata”, ka deklaruar Nikçi.

Ndërkohë, Redaksia e Peja në Fokus ka kërkuar informata nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë lidhur me gjendjen dhe trajtimin e personit të burgosur.

Spitali ka konfirmuar për redaksinë se gjatë ditës së djeshme ka pranuar për trajtim një pacient të burgosur.

“Ju konfirmojmë se gjatë ditës së djeshme në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë është pranuar për trajtim një pacient i burgosur. Pacienti ka marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor dhe, pas përfundimit të trajtimit, është liruar nga spitali”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë për “Peja në Fokus”.

Nga Spitali nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me natyrën e trajtimit, duke respektuar konfidencialitetin mjekësor.

Rasti mbetet nën hetim nga autoritetet kompetente, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

LEXO EDHE: