Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Istogut, e thirrur për shqyrtimin dhe miratimin e një deklarate lidhur me aktgjykimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së kuorumit.
Njëra nga asambleistet ka deklaruar për Peja në Fokus se iniciativa kishte mbështetjen e katër subjekteve politike, ndërsa mbështetje ishte shprehur edhe nga përfaqësues të komuniteteve.
Sipas saj, përfaqësuesi i ri i komunitetit ende nuk kishte bërë betimin pas ndryshimit të anëtarit, anëtari i pavarur ndodhej jashtë vendit, ndërsa njëra nga anëtaret e LDK-së kishte deklaruar paraprakisht se nuk kishte mundësi të merrte pjesë. Ajo theksoi se në seancë kishte marrë pjesë edhe anëtari i LDK-së, Hajrush Shoshi.
“Pra, sot nuk mund të flasim për mungesë të përfaqësimit të të gjitha subjekteve politike, por duhet të flasim për mungesën e vullnetit dhe pjesëmarrjes së disa anëtarëve të Kuvendit, veçanërisht nga radhët e LDK-së”, tha ajo.
Asambleistja e ka cilësuar si shqetësuese edhe faktin se në rendin e ditës së seancës së rregullt të 28 shtatorit, sipas njoftimit të publikuar në faqen e Facebookut të Komunës së Istogut, nuk figuron deklarata lidhur me aktgjykimin e Hagës.
Njoftimi për mbledhjen e nëntë të rregullt, të paraparë për të hënën, përmban shtatë pika të rendit të ditës, por asnjëra prej tyre nuk parasheh shqyrtimin apo miratimin e kësaj deklarate.
“Minimumi që pritej nga anëtarët ishte pjesëmarrja në seancë dhe mundësia qëndrimet të shpreheshin përmes votës”, u shpreh asambleistja.
Ajo tha se opozita e ka mbështetur iniciativën dhe do të vazhdojë ta mbështesë, ndërsa kërkoi që qytetarët të dinë “kush ishte aty, kush mungoi dhe cilat ishin arsyet e mungesës”.
Ferati: Nuk kam pasur diskutim me asnjë akter politik
Pas zhvillimeve, kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka reaguar duke thënë se nuk ka pasur diskutim me asnjë akter politik lokal lidhur me seancën e jashtëzakonshme dhe se grupit të kuvendarëve të LDK-së nuk u janë kërkuar nënshkrime për thirrjen e saj.
“Si Kryetar i Komunës, asnjë diskutim s’kam pasë me asnjë akter politik partiak lokal në raport me seancën e thirrur për të shqyrtuar dhe aprovuar deklaratën kundër Aktgjykimit të Hagës, as nuk na janë kërkuar nënshkrimet e grupit të kuvendarëve të LDK-së për seancë!”, ka shkruar Ferati.
Ai ka thënë se deklarata do të shqyrtohet në seancën e rregullt të së hënës, më 28 shtator.
“Seanca e rregullt e Kuvendit është të hënën, ku pikë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi dhe aprovimi i deklaratës kundër Aktgjykimit të Hagës”, ka deklaruar Ferati.
Megjithatë, kjo deklaratë nuk figuron në shtatë pikat e rendit të ditës të publikuara paraprakisht nga Komuna e Istogut për mbledhjen e 28 shtatorit.
Ferati ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si është zhvilluar debati politik rreth kësaj çështjeje, duke thënë se diskutimi “agravoi në gjuhë puro partiake”.
“Të dashur qytetarë, ashtu siç edhe patë në media, diskutimi i tyre agravoi në gjuhë puro partiake, ashtu siç edhe e kanë qëllimin!”, ka shkruar ai.
Në fund, Ferati ka deklaruar: “UÇK-ja s’ka parti, UÇK-ja s’është individ, është e Popullit Shqiptar, dje, sot e përjetësisht!”
Kështu, zhvillimi i seancës së jashtëzakonshme ka sjellë reagime dhe kundërreagime mes përfaqësuesve politikë në Istog, ndërsa mbetet të shihet nëse deklarata për aktgjykimin e Hagës do të përfshihet në rendin e ditës dhe do të shqyrtohet në mbledhjen e 28 shtatorit./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
