Më 10 gusht 1998, luftëtari i UÇK-së nga Peja, Bekim Berisha, ra heroikisht në Junik, pas disa orë luftimesh me forcat serbe.
Bekim Berisha, i njohur me nofkën “Abeja”, u lind më 15 qershor 1966 në Graboc të Pejës. Pas përfundimit të shkollimit në Pejë, ai emigroi në Kroaci, ku përfundoi Fakultetin e Hotelerisë në Opatija dhe Fakultetin e Veterinarisë në Zagreb. Gjatë qëndrimit jashtë vendit mësoi gjashtë gjuhë të huaja.
Me shpërthimin e luftërave në Kroaci dhe Bosnjë, Berisha iu bashkua luftëtarëve kundër forcave serbe, duke marrë pjesë në beteja të shumta. Në mars të vitit 1998 u kthye ilegalisht në Kosovë dhe iu bashkua UÇK-së.
Fillimisht veproi në Açarevë, ku kontribuoi në përgatitjen ushtarake të luftëtarëve të rinj. Më pas u angazhua në Zonën Operative të Dukagjinit, në Gllogjan dhe Junik, ku u bë një nga figurat e rëndësishme të luftës.
Më 10 gusht 1998, Bekim Berisha ra në Junik nga një predhë topi, së bashku me disa bashkëluftëtarë.
Pas luftës, për meritat e tij, u gradua Gjeneralmajor. Fillimisht u varros në Junik, ndërsa më vonë u rivarros në vendlindjen e tij, në Graboc të Pejës, ku iu ngrit edhe lapidari.
“Serbët nuk dojnë diplomaci, veç luftë”, është një nga deklaratat e tij të rralla të dokumentuara gjatë luftës.
Sot, 28 vjet pas rënies, figura e Bekim Berishës “Abeja” mbetet një nga figurat e njohura të luftës së UÇK-së dhe historisë së rezistencës në Kosovë. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
