Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë vendim për një sërë dënimesh ndaj KB Peja dhe KB Trepça, pas ndeshjes së dytë të serisë gjysmëfinale të “Play-off”-it në Superligën e Kosovës.
Sipas vendimit, lojtari i KB Peja, Daquan Bracey, është dënuar me 100 euro për gabim teknik dhe sjellje josportive. Klubi pejan është gjobitur gjithashtu me 500 euro për përdorim të muzikës dhe mikrofonit me qëllim nxitjen e ofendimeve në kor, si dhe me 500 euro të tjera për hedhje të mjeteve të forta në fushë.
Po ashtu, KB Peja është dënuar edhe me 700 euro për sjellje josportive dhe thirrje ofenduese ndaj ekipeve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes.
Nga ana tjetër, edhe KB Trepça është ndëshkuar, ku lojtari Akil Vining është gjobitur me 100 euro për gabim teknik dhe sjellje josportive.
FBK ka bërë të ditur se këto masa vijnë në kuadër të rregullave të garave dhe paralajmërimeve për tolerancë zero ndaj sjelljeve që cenojnë rendin dhe fair-play-in në fazat vendimtare të kampionatit. /Pejanefokus.net/Sport.
