(E përditësuar: 01 Shtator 2026) Pejë – Thirrja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, për pjesëmarrje në protestën e komunave që mbahet sot në Prishtinë, ka nxitur reagimin e kryetarit të “Vetëvendosje”, në Pejë dhe deputetit të zgjedhur, Taulant Kelmendi.
Muhaxheri u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke e paraqitur atë si kundërshtim ndaj, siç ka thënë, centralizimit të pushtetit dhe ndikimit të tij në buxhetet dhe kompetencat komunale.
Ndërsa Kelmendi e ka cilësuar këtë thirrje si “protestë të milionerëve”, duke kritikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Muhaxherin.
“Pas dështimit të puçit në LDK, Gazmend Muhaxheri paska bërë thirrje për protestë në Prishtinë kundër Qeverisë”, ka shkruar Kelmendi.
Ai ka komentuar edhe përdorimin e fjalëve “xhepi” dhe “prona” në thirrjen e Muhaxherit, duke pretenduar se kryetari i Pejës gjatë viteve në pushtet ka shtuar prona dhe pasuri.
Kelmendi ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për buxhetet komunale, duke thënë se buxheti për komunat është rritur nga 546 milionë në 907 milionë euro.
“Kryetarët milionerë hallin e kanë diku tjetër; pronat dhe këmbimet”, ka deklaruar Kelmendi.
Protesta e komunave mbahet sot në ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me kërkesa lidhur me buxhetet, pronën dhe kompetencat komunale. /Pejanefokus.net/JU flet Peja/
. . .
(E përditësuar:01 Shtator 2026) Pejë – Komunat e Kosovës protestojnë sot në Prishtinë, me kërkesa për buxhetet, pronën dhe kompetencat komunale.
Lidhur me pjesëmarrjen nga Peja, shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës, Faik Zekaj, ka bërë të ditur për Peja në Fokus se pjesëmarrja e punëtorëve komunalë nuk është obligative, por shumica e tyre e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
“Obligim nuk e kanë. Vetëm ju kemi tregu se kush dëshiron me ardhë. Shumica e kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, tha Zekaj.
Ai sqaroi se zyrtarët që nuk marrin pjesë duhet të dalin në punë, ndërsa atyre që marrin pjesë nuk do t’u hiqet dita e pushimit.
Komuna e Pejës ka siguruar transport edhe për qytetarët që dëshirojnë t’i bashkohen protestës. Nisja bëhet në ora 08:30 nga objekti i Komunës së Pejës.
Në protestë pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Peja, Deçani, Klina dhe Juniku. Kryetarët e këtyre komunave kanë bërë thirrje për pjesëmarrje, duke kundërshtuar, mes tjerash, ndërhyrjet e nivelit qendror dhe kërkuar financim më të drejtë për komunat.
Protesta mbahet sot, 1 shtator, nga ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. /PejaNëFokus.net / Ju flet Peja/
. . .
(E përditësuar: 31 gusht 2026) Komunat e Kosovës do të protestojnë të martën, më 1 shtator, në Prishtinë, me kërkesa për buxhetet komunale ndaj Qeverisë së Kosovës, teksa lidhur me pjesëmarrjen e zyrtarëve komunalë nga Peja, Peja në Fokus ka kontaktuar shefin e Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Faik Zekajn, sipas të cilit pjesëmarrja në protestë e punëtorëve të Komunës nuk është obligative, ndërsa ka bërë të ditur se shumica e zyrtarëve e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
“Jo, obligim nuk e kanë. Vetëm ju kemi tregu se kush dëshiron me ardhë. Shumica e kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, tha Zekaj.
Ai ka sqaruar se zyrtarët që nuk marrin pjesë duhet të dalin në punë, ndërsa ata që marrin pjesë në protestë nuk do t’u hiqet dita e pushimit.
Ndërkohë, Zekaj ka bërë të ditur se Komuna e Pejës do të sigurojë transport edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë t’i bashkohen protestës.
“Transporti është i Komunës. Mund të marrin pjesë edhe qytetarët e tjerë, ndërsa nisja bëhet në ora 08:30 nga Komuna”, shtoi Zekaj për Peja në Fokus.
/Pejanefokus.net/JufletPeja
. . .

(E përditësuar 31 gusht 2026): Kryetarët e Pejës, Deçanit dhe Klinës, si dhe Komuna e Junikut kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për nesër, më 1 shtator, në Prishtinë, ku komunat e Kosovës pritet të ngrenë zërin për buxhetet, pronën dhe kompetencat komunale.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se protesta nuk është betejë e kryetarëve, por e qytetarëve, duke kundërshtuar atë që e cilëson si centralizim të pushtetit nga niveli qendror.
Sipas tij, ngushtimi i buxheteve po ndikon në projektet komunale në rrugë, shkolla e shëndetësi, ndërsa shqetësim paraqet edhe marrja e kompetencave në fushën e pronave dhe inspektorateve komunale.
Edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje, duke thënë se komunat dhe punonjësit e administratës publike do të protestojnë kundër, siç e ka cilësuar ai, qasjes selektive dhe diskriminuese ndaj komunave.
Ndërkohë, edhe kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, i është bashkuar thirrjeve për protestë.
Elezaj ka bërë të ditur se protesta do të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake, ndërsa ka renditur disa nga kërkesat e komunave.
Ndër kërkesat e përmendura janë kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5% nga buxheti i nivelit qendror, kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, financim i drejtë dhe i qëndrueshëm për komunat, si dhe ndalimi i ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.
“Zëri i komunave është zëri i qytetarëve”, ka thënë Elezaj, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës.
Për protestën, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pasur reagim publik nga kryetari i Istogut, Ilir Ferati, si dhe as komuna që ai drejton.
Protesta është paralajmëruar të mbahet nesër, më 1 shtator, në ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
Kliko lajmin paraprak në link: https://www.facebook.com/share/p/14kZJw4WatT/
