Lugu i Leshanit të Pejës thërret banorët në protestë

Banorët e Lugut të Leshanit kanë paralajmëruar protestë për të martën e 1 shtatorit 2026, për shkak të mosrealizimit të dy projekteve që, sipas tyre, janë të rëndësishme për sigurinë dhe qasjen e banorëve në fshatin Kliçinë.

Përfaqësuesi i Kliçinës dhe fshatrave të Lugut të Leshanit në Kuvendin Komunal të Pejës, Elbasan Krasniqi, ka thënë për Peja në Fokus se banorët kanë zhvilluar takime, kanë mbledhur nënshkrime përmes një peticioni dhe kanë adresuar kërkesat e tyre te kompania mbikëqyrëse e projektit, IKN sh.p.k., si dhe te Ministria e Infrastrukturës.

Sipas Krasniqit, deri më tani nuk kanë marrë përgjigje për nënkalimin për nxënësit e Shkollës “Naum Veqilharxhi” dhe mbikalimin për automjetet në kyçjen e Kliçinës, të cilat, sipas tij, janë tërhequr nga projekti.

“Shqetësimi kryesor është siguria e rreth 400 nxënësve. Pyetja jonë është e thjeshtë: si do të shkojnë ata në shkollë në mënyrë të sigurt?”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka thënë se mungesa e këtyre zgjidhjeve do t’ua vështirësojë banorëve edhe qasjen në shkollë, varreza dhe tokat bujqësore.

Për këtë arsye, banorët kanë paralajmëruar protestë, duke kërkuar që të rikthehen dhe të realizohen të dy projektet.

“Siguria e fëmijëve tanë, liria e lëvizjes së banorëve dhe qasja në pronat tona nuk janë privilegj, por e drejtë themelore”, tha Krasniqi për Peja në Fokus. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

LEXO EDHE: