Ngërç në procesin për zgjedhjen e presidentit, reagojnë deputetët nga Peja

Kosova po hyn në fazën përfundimtare të procesit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa afati kushtetues për përmbylljen e tij skadon më 28 prill 2026, teksa pavarësisht rëndësisë së këtij procesi për stabilitetin institucional, deri më tani nuk ka emra konkretë të propozuar, duke e lënë situatën të paqartë dhe duke shtuar dilemat nëse vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.

Në këtë kontekst, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, me prejardhje nga Peja, kanë shprehur qëndrimet e tyre, duke theksuar nevojën për zgjidhje brenda institucioneve dhe shmangien e një procesi të ri zgjedhor.

Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, e konsideron të panevojshme shkuarjen në zgjedhje, duke theksuar se qytetarët presin rezultate konkrete.

“Nuk ka asnjë kuptim që, në një kohë kur i gjithë populli i Kosovës – veçanërisht komuniteti egjiptian dhe komunitetet tjera – presin që të bëhen punë të mira për ta, ne të përfundojmë sërish në zgjedhje, të cilat nuk garantojnë zgjidhje. Andaj, është koha për reflektim, në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës,” u shpreh ai.

Në të njëjtën linjë është edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, i cili vlerëson se një proces i ri zgjedhor nuk do të sillte zgjidhje, por vetëm kosto shtesë dhe vonesa institucionale.

“Pas katër muajsh nga zgjedhjet, nuk ka nevojë për një proces tjetër zgjedhor të kushtueshëm dhe të panevojshëm. Ne i bëjmë thirrje të sinqertë opozitës: lërini inatet dhe propozoni kandidatë për president, figura që bashkojnë dhe përfaqësojnë dinjitetshëm shtetin,” deklaroi Kelmendi.

Ndërkohë, nga radhët e opozitës vjen një tjetër qasje. – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, kërkon zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe arritjen e një konsensusi politik për zgjedhjen e presidentit.

“Vendimi i Kushtetueses të zbatohet menjëherë, të arrihet konsensus për presidentin. Topi është në duart e të dyja palëve, por përgjegjësinë për zgjedhjen ose moszgjedhjen e ka Vetëvendosje, konkretisht Albin Kurti,” ka deklaruar Haliti.

Megjithëse Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do të insistojë në postin e presidentit, ajo ka ftuar partitë opozitare – përfshirë PDK-në dhe LDK-në – që të dalin me propozime konkrete.

Deri më tani, megjithatë, nuk ka emra të bërë publikë zyrtarisht.

Mungesa e konsensusit dhe afati i ngushtë kohor po e vendosin vendin përballë një momenti vendimtar.

Nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, Kosova brenda 45 ditësh mund të përballet me një cikël të ri zgjedhor, me pasoja për stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve./Pejanefokus.net.

(Artikulli mbetet i hapur për t’u plotësuar edhe me deklarime të tjera nga deputetë të tjerë).

LEXO EDHE: