KB Trepça ka siguruar finalen e “play-off”-it, pasi të dielën mposhti KB Peja me rezultat 96:103 në palestrën Karagaçi.
Atmosfera nisi në mënyrë festive, ku para fillimit të ndeshjes performoi këngëtari pejan Ramadan Krasniqi – Dani me këngën “Pejë o lule Dukagjini”.
Në parket, ndeshja ishte e luftuar deri në fund. – Te Peja u dallua Bracey me 31 pikë, katër kërcime e tetë asistime, ndërsa te Trepça më i miri ishte Vining me 24 pikë, tri kërcime dhe tri asistime.
Me këtë fitore, Trepça kalon në finale ku pret fituesin e përballjes KB Bashkimi – KB Bora.
Pas ndeshjes nuk munguan reagimet.
Nga kampi pejan u vlerësua loja dhe mbështetja e tifozëve: “Luftë e madhe deri në sekondat e fundit, por detajet vendosin gjithçka. Eliminohemi nga gjysmëfinalet. Faleminderit Pejë për mbështetjen e jashtëzakonshme”.- reagoi KB Peja.
Ndërkohë, nga Trepça erdhi një reagim më i ashpër ndaj kundërshtarit: “Jo në nivelin tonë! Jeni për TREPÇEN!”.
Ironikisht, festa e mysafirëve pas ndeshjes u shoqërua edhe me këngë nga Sofra Pejane, siç u pa në një nga postimet e klubit mitrovicas, duke i dhënë një simbolikë të veçantë mbrëmjes në Pejë./Pejanefokus.net./Sport/
