Pejë: Sulme nga qentë endacakë – qytetarët duan ndërhyrje urgjente me peticion

Alarm në Pejë: Sulmet nga qentë endacakë vazhdojnë, qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente me peticion

Rastet e sulmeve dhe kafshimeve nga qentë endacakë ndaj qytetarëve në Pejë po vazhdojnë të rriten, duke ngritur shqetësim serioz për sigurinë publike, sidomos në zonat më të frekuentuara të qytetit.

Vetëm në ditët e fundit, të paktën katër raste janë raportuar në Çarshinë e Gjatë, ku qytetarët kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Situata ka detyruar rreth 30 tregtarë të kësaj zone që më 11 dhjetor 2025 të dorëzojnë një peticion në Komunën e Pejës dhe në Zyrën e kryetarit Gazmend Muhaxheri, ku në këtë dokument, ata kanë ngritur shqetësimin për sulmet e vazhdueshme, duke përmendur edhe një rast të rëndë ku viktimë ishte një 10-vjeçar, rast i dokumentuar edhe me video.

Në peticion kërkohet dëmshpërblim për familjen e të miturit, si dhe ndërhyrje urgjente për largimin e qenve nga kjo zonë, sterilizimin dhe vaksinimin e tyre, si dhe publikimin e një raporti të qartë nga ana e Komunës për masat që do të ndërmerren.

Megjithatë, sipas burimeve, deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare lidhur me këtë kërkesë të tregtarëve.

Çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal, për vitin 2026, ku nënkryetari i Pejës, Fatmir Asllanaj ka deklaruar se Komuna ka përmbushur obligimet e saj lidhur me krijimin e hapësirës për trajtimin e qenve dhe funksionalizimin e strehimores, ndonëse sipas tij procesi po ecën me ritëm më të ngadalshëm.

Ai theksoi se ambulanta për trajtimin e qenve është ndër më të avancuarat në vend dhe se trajtimi bëhet sipas standardeve të përcaktuara, ku qentë mbahen përkohësisht, sipas tij deri në tre ditë, si dhe më pas rikthehen në terren, në përputhje me rregulloret në fuqi dhe nën monitorimin e organizatave për mbrojtjen e kafshëve.

Ndërkohë, Komuna e Pejës kishte publikuar edhe numra kontaktues për raportimin e rasteve, përfshirë menaxheren e kontratës dhe operatorin ekonomik Kuqi Farms, të cilat janë: 045 108 950, numër ky i menaxheres së kontratës, Shqipe Shala, si dhe operatorin ekonomik Kuqi Farms në 049 277 644.

Kujtojmë se në vitin 2025 është nënshkruar një kontratë me këtë kompani për trajtimin e mbi 2,000 qenve endacakë, me vlerë prej 258,780 euro, e vlefshme deri në vitin 2028, teksa projekti përfshin sterilizimin, vaksinimin dhe trajtimin mjekësor të qenve.

Sipas një vlerësimi të realizuar nga FOUR PAWS, në rajonin e Pejës ka mbi 8,400 qen endacakë, ndërsa vetëm në Pejë rreth 4,921, me një shkallë sterilizimi prej 25.4 për qind.

Pavarësisht këtyre projekteve dhe investimeve, raportimet për sulme ndaj qytetarëve po vazhdojnë edhe më tej, duke treguar se problemi mbetet ende i pazgjidhur dhe një sfidë serioze për institucionet lokale./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: