Pas shumë rasteve të raportuara ndër vite për sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve, sot, 19 dhjetor 2025, Komuna e Pejës ka inauguruar zyrtarisht Ambulantën për Trajtimin dhe Kastrimin e Qenve Endacakë, e vendosur në fshatin Sverkë, afër deponisë së mbeturinave.

Hapjen zyrtare e kanë bërë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe zëvendëskomandanti i Stacionit të Policisë në Pejë, Dervish Haxhiaj, noftoi Komuna e Pejës përmes një komunikate të mangët pa shumë informacione.
Sipas komunikatës zyrtare të Komunës, kjo ambulantë synon përmirësimin e mirëqenies së kafshëve përmes ofrimit të shërbimeve veterinare profesionale, veçanërisht kastrimit, si dhe menaxhimit human dhe të qëndrueshëm të qenve endacakë në territorin e komunës.
Për fillimin e ndërtimit të kësaj qendre trajtuese Peja në Fokus pati raportuar në dhjetor të vitit 2023, ku në fillim ishte kuptuar se po ndërtohet strehimore e qenve endacak, teksa ishte konfirmuar se bëhet fjalë për objekt ku do të trajtohen ata.
Kliko lajmin e dhjetorit 2023 në linkun e lajmit: https://www.facebook.com/photo/?fbid=897452992385962&set=a.359942399470360
Megjithatë, vlen të theksohet se në fillim të këtij viti Komuna e Pejës ka njoftuar se ka dhënë kontratë në vlerë mbi 250 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë, ndërsa pavarësisht këtij buxheti, rastet e sulmeve ndaj qytetarëve kanë vazhduar dhe vazhdojnë të raportohen, duke ngritur pikëpyetje për efektivitetin real të masave të deritanishme.
Kliko këtu raportimin mbi njoftimin e kontratës për qenët endacak: https://www.facebook.com/photo/?fbid=1223194983145093&set=a.359942402803693
Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë – AUV pati konfirmuar për Peja në Fokus pati ndaluar punën e operatorit që Komuna e Pejës i dha tender, sepse kjo e fundit kontraktoi atë pa strehimore të licensuar, e lajmi u publikua më më 4 qershor 2025.
Kliko këtu linkun e lajmit nga Peja në Fokus: https://www.facebook.com/photo/?fbid=1314255700705687&set=a.359942399470360
Problemi i qenve endacakë ka nxitur edhe reagime dhe peticione nga ana e qytetarëve, përfshirë rastin e tregtarëve të Çarshisë së Gjatë, të cilët, pas disa sulmeve në këtë lokacion gjatë muajit dhjetor, kanë kërkuar largimin e tyre për shkak të rrezikut për sigurinë qytetare, punëtorëve dhe klientëve.
Kliko këtu linkun e raportimit mbi sulmet dhe peticionin: https://www.facebook.com/reel/1349518859661771/?s=single_unit
Ndërkohë, në komunikatën zyrtare të Komunës mungojnë disa informacione të rëndësishme për publikun, të cilat do të duhej të ishin të qarta në një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë publike dhe shëndetin e qytetarëve.
Në këtë komunikatë nuk është bërë e ditur se sa ka kushtuar konkretisht funksionalizimi i ambulantës dhe nga cili burim financiar është mbuluar, kush do ta menaxhojë dhe operojë ambulantën (Komuna, OJQ apo operator privat), cili është kapaciteti ditor apo mujor i trajtimit dhe kastrimit të qenve, orari i funksionimit dhe mënyra e raportimit të rezultateve, si dhe brenda çfarë afati pritet të ketë ndikim real në uljen e numrit të qenve endacakë në qytet.
Po ashtu, qytetarëve nuk u është bërë e ditur se si duhet të raportojnë prezencën apo rastet problematike me qentë endacakë, nëse ekzistojnë numra aktivë, platformë zyrtare apo procedurë e qartë raportimi.
Vlen të theksohet se edhe më herët janë publikuar numra kontaktues, siç janë 045 108 950 dhe 049 277 644, por qytetarë të shumtë janë ankuar se nuk kanë marrë përgjigje apo reagim konkret, gjë që ka ndikuar në vazhdimin e problemit në terren.
Linku i raportimit mbi kontaktin:
https://www.facebook.com/photo/?fbid=1228383399292918&set=a.359942399470360
Gjithashtu, për aktivitetin e përurimit të kësaj ambulante nuk ka pasur ftesë zyrtare për media, duke ua pamundësuar gazetarëve që ta përcjellin nga afër inaugurimin dhe të marrin informacione direkte nga përgjegjësit komunalë, në mënyrë që qytetarët të informoheshin më saktë dhe më plotësisht për funksionimin, koston dhe efektet e kësaj ambulance, ndërkohë, të dhënat e fundit tregojnë përmasat reale të problemit.

Ndryshe, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe organizata ndërkombëtare FOUR PAWS kanë realizuar anketimin e parë kombëtar për vlerësimin e numrit të qenve në rrugë në Kosovë, duke theksuar se të dhënat e sakta janë baza e çdo zgjidhjeje humane dhe të qëndrueshme për reduktimin e numrit të qenve endacakë.
Sipas këtij vlerësimi, në rajonin e Pejës vlerësohet se janë 8,413 qen në rrugë, vetëm në Komunën e Pejës numri i tyre arrin në 4,921 qen, ndërsa Peja ka përqindjen më të lartë të sterilizimit në vend – 25.4%.
Kliko këtu burimin e informacionit rreth gjendjes:
https://www.facebook.com/photo?fbid=1158017676496374&set=a.488427763455372
Pavarësisht këtyre shifrave dhe inaugurimit të ambulantës, mbetet të shihet nëse ky projekt do të shoqërohet me transparencë, llogaridhënie dhe rezultate konkrete në terren, apo do të mbetet vetëm një veprim formal, pa sqarime të mjaftueshme për publikun dhe pa zgjidhje afatgjate për një problem që vazhdon të shqetësojë qytetarët e Pejës./Pejanefokus.net.
