Nga Peja në Parlamentin e Lubjanës – Ganimet Shala hyn në histori

Një tjetër histori suksesi nga Peja po shkruhet në diasporë. Ganimet Shala, e lindur në Pejë dhe e rritur në Slloveni, ka hyrë në histori si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e qytetit të Lubjanës, për mandatin 2022–2026.

Shala përfaqëson një nga arritjet më të rëndësishme politike të shqiptarëve në Slloveni, duke u bërë zë i komunitetit shqiptar, por edhe i qytetarëve sllovenë në përgjithësi.

E ardhur në Slloveni në moshë të re, ajo u përball me sfida të shumta gjuhësore dhe kulturore, por përkushtimi dhe puna e vazhdueshme e çuan drejt suksesit. Ajo është magjistre në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci dhe ka mbi 29 vite përvojë në sektorin publik slloven, ku karrierën e ka nisur në Telekomin e Sllovenisë, duke u avancuar deri në pozita menaxheriale.

Paralelisht me karrierën profesionale, Ganimet Shala ka qenë aktive në jetën shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve në Slloveni. Ajo është themeluese e Shoqatës së Grave Shqiptare “Teuta”, kryetare e Unionit të Shoqatave Kulturore Shqiptare dhe anëtare nderi e disa organizatave kulturore.

Në vitin 2022, ajo kandidoi në zgjedhjet parlamentare, duke u bërë kandidatja e parë shqiptare për deputete dhe njëkohësisht asambleistja e parë shqiptare në Lubjanë. Në kuadër të partisë Social Demokratët, Shala angazhohet në politikat banesore, çështjet ndërkombëtare, trafikun dhe sektorin publik.

Nga viti 2024, ajo është gjithashtu anëtare e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, një tjetër sukses i rëndësishëm për përfaqësimin shqiptar në arenën evropiane.

Shala ka ngritur vazhdimisht edhe çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës në diasporë, përfshirë njohjen e patentave të Kosovës në Slloveni dhe të drejtat e shtetasve kosovarë me qëndrim të përhershëm.

Si grua shqiptare në politikën sllovene, ajo thekson se suksesi kërkon njohje të gjuhës, angazhim qytetar dhe ndërtim të kredibilitetit përmes veprave konkrete.

Historia e Ganimet Shalës mbetet një shembull frymëzimi, jo vetëm për gratë shqiptare në diasporë, por edhe për të rinjtë nga Peja dhe Kosova, se përkushtimi, puna dhe ruajtja e identitetit mund të çojnë drejt majave të suksesit edhe në skenën politike evropiane./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: