Pas 7 muajsh, zbardhet vdekja e dy të rinjve në Pejë

Më 30 dhjetor 2025, Endrit Lajqi dhe Makfire Bytyqi u gjetën pa shenja jete në një vilë në rrugën “KFOR” në Pejë. Pas më shumë se shtatë muajsh, babai i Endritit sjell në “Peja në Fokus” dokumentet e Prokurorisë dhe ekspertizës mjekoligjore që sqarojnë shkakun e vdekjes.

Më 30 dhjetor 2025, Peja u trondit nga lajmi për gjetjen e dy të rinjve pa shenja jete në një vilë në rrugën “KFOR”, konkretisht në Vilën 03.

Bëhej fjalë për Endrit Lajqin dhe Makfire Bytyqin, të cilët u gjetën të pajetë brenda vilës.

Në orët dhe ditët pas ngjarjes, rasti u trajtua si vdekje e dyshimtë, ndërsa nisën hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e vdekjes.

Raportimet e asaj kohe konfirmonin se Policia ishte njoftuar rreth orës 15:10 për dy persona pa shenja jete në vilë.

Që nga ajo ditë, rasti u shoqërua edhe me spekulime të ndryshme, ndërsa familjet prisnin përgjigjen përfundimtare të institucioneve.

Sot, dokumentet sjellin përgjigjen

Pas përfundimit të procedurave hetimore, Nysret Lajqi, babai i Endritit, ka ardhur sot(12 guht 2026) në zyrën e redaksisë së ‘Peja në Fokus’, duke sjellë dokumentacionin zyrtar të Prokurorisë dhe raportet e ekspertizës mjekoligjore.

Sipas përfundimit të Prokurorisë Themelore në Pejë, të datës 7 gusht 2026, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave, deklaratave të dëshmitarëve, raporteve mjekoligjore, analizave toksikologjike, këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe pamjeve të kamerave, është konstatuar se:

Endrit Lajqi dhe Makfire Bytyqi kanë vdekur si pasojë e një fatkeqësie aksidentale – intoksikimit me monoksid karboni (CO).

Ekspertiza mjekoligjore përcakton se shkaku i vdekjes ishte hipoksia sistemike akute si pasojë e karboksihemoglobinemisë akute, e shkaktuar nga ekspozimi ndaj monoksidit të karbonit,

Nuk u gjetën drogë apo barna.

Një tjetër element i rëndësishëm i dokumentacionit është raporti toksikologjik.

Në mostrat e gjakut të ekzaminuara nuk është konstatuar prani e alkoolit etilik, drogave apo barnave.

Në të njëjtën kohë, analizat kanë konstatuar praninë e karboksihemoglobinës, duke mbështetur përfundimin e ekspertizës për helmim me monoksid karbon.

Raporti laboratorik evidenton vlera të larta të karboksihemoglobinës në gjakun e viktimave, çka lidhet me ekspozimin ndaj monoksidit të karbonit.

Kamerat dhe hetimet nuk konstatuan person të tretë

Sipas dokumentit të Prokurorisë, janë analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë, përfshirë sistemin “Night Motel 03”.

Nga këto verifikime, sipas Prokurorisë, është eliminuar mundësia e pranisë së personave të tretë në vendin e ngjarjes gjatë kohës kritike.

Po ashtu, deklaratat e dëshmitarëve dhe familjarëve nuk kanë ofruar elemente që do të krijonin dyshim të arsyeshëm për vepër penale.

Në dokument thuhet se kronologjia e thirrjeve telefonike dhe të dhënat e tjera të administruara gjatë hetimit përputhen me simptomatologjinë e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Prokuroria: Vdekje aksidentale

Në përfundim, Prokuroria Themelore në Pejë e ka cilësuar rastin si vdekje aksidentale.

Babai i Endritit, Nysret Lajqi, ka vendosur t’i sjellë këto dokumente në redaksinë e ‘Peja në Fokus’, me qëllim që opinioni publik të njihet me përfundimet zyrtare dhe që, pas muajsh spekulimesh, shkaku i vdekjes së djalit të tij dhe Makfire Bytyqit të bëhet i qartë mbi bazën e dokumenteve institucionale.

‘Peja në Fokus’ i publikon dokumentet kryesore të këtij rasti, duke respektuar privatësinë e familjeve dhe përmbajtjen e dokumenteve zyrtare./Pejanefokus.net/Ju flet Peja.

/Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

LEXO EDHE: