Rrugët e pa mirëmbajtura, furnizimi i shpeshtë i ndërprerë me energji elektrike dhe mungesa e investimeve për turizëm e bëjnë Rugovën këtë dimër të duket më shumë si “Bjeshkët e nëmuara”.
Reshjet e borës që po bien sonte në trevën e Rugovës kanë vështirësuar qarkullimin në zonë.
Banorë dhe vizitorë tregojnë se rrugët nuk janë mirëmbajtur, ndërsa automjetet hasin në vështirësi për të kaluar.
Mes të shqetësuarve është Rexhep Kurtbogoja, kryesues i Kuvendit të Komunës së Pejës dhe banor i Rugovës, i cili ka reaguar përmes një postimi:
“Me hajr sezona dimërore nga Bjeshkët e Rugovës. S’ka buxhet për Pejën nga Qeveria. S’ka investime për turizëm nga Qeveria. S’ka rrymë për biznese nga Qeveria. S’ka mirëmbajtje të rrugëve nga Qeveria.Komuna e Pejës dhe bizneset po përpiqen maksimalisht për t’i pritur vizitorët e shumtë të këtij sezoni dimëror.”-shkruan ai.
Për të mos u mjaftuar me kaq, problemet nuk ndalen vetëm te rrugët.

Në vitin 2024, KEDS dhe Komuna e Pejës promovuan përfundimin e rrjetit të ri elektrik në Rugovë si një investim të rëndësishëm.
Por realiteti i vitit 2026 tregon ndryshe: ndërprerjet e energjisë janë të shpeshta, ndërsa në disa zona mungon edhe interneti, duke ndikuar në jetën e banorëve dhe aktivitetin turistik.
Banorët theksojnë se, pavarësisht raportimeve të shumta, nuk ka pasur zgjidhje konkrete në terren, ndërsa ekipet teknike nuk kanë dhënë sqarime të plota për gjendjen aktuale.
Peja në Fokus do të vazhdojë të përcjellë situatën dhe të kërkojë sqarime nga institucionet përgjegjëse lidhur me furnizimin me energji elektrike dhe mirëmbajtjen e rrugëve në Rugovë./Pejanefokus.net.
