Ish-anëtarja e AAK-së, Xhenete Syka, tashmë në LDK, deklaroi publikisht se Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka emëruar atë edhe për një mandat në krye të Drejtorisë së Kulturës, pavarësisht raportimeve të shumta të Peja në Fokus për mungesë transparence gjatë mandatit të saj dhe për përfshirje në gafe politike.

Një nga rastet e fundit ishte në prill të vitit 2025, kur nuk u publikuan shumat e ndara për OJQ-të. Pas raportimeve, zyrtarë të Drejtorisë u detyruan t’i përgjigjen redaksisë së Peja në Fokus përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), me paralajmërim se në të kundërtën ligji parasheh gjoba deri në 10 mijë euro.

Syka ishte raportuar nga mediat edhe për përdorimin e figurave sportive me arritje olimpike në fushata politike, përfshirë kampionen olimpike Majlinda Kelmendi, ku mbi fotografi ishin vendosur numra elektoralë, por e kishte fshirë.

Për të, ishte raportuar edhe më herët lidhur me dënimin e shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë fushatës së zgjedhjeve të shkurtit 2025, për gafin e shpërndarjes së materialeve ku kryeministri Albin Kurti ishte krahasuar me Adolf Hitlerin./Pejanefokus.net.
