Çka po paralajmërojnë tifozët pejanë?

Sonte zhvillohet ndeshja e kthimit e çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll, mes Pejës dhe Bashkimit, në palestren “Karagaçi” të Pejës.

Në ndeshjen e parë të luajtur në Prizren, Peja u mposht si mysafire me rezultat 96-90, në një takim që u shoqërua me incidente, ku me mjet të fortë u godit kapiteni Dardan Berisha, duke bërë që ndeshja të ndërpritet për disa minuta.

Lidhur me rastin raportoi edhe portali Peja në Fokus: https://pejanefokus.net/bashkimi-fiton-ndaj-pejes-pas-incidentit-me-berishen/

Për duelin e sontëm, nga klubi pejan kanë bërë të ditur se: “Luhet sot në ‘Karagaçi’, me fillim nga ora 18:45, ndeshja kthyese e çerekfinaleve të Kupës së Kosovës, ku GO+ Pejës i duhet fitore me mbi 6 pikë diferencë për të siguruar gjysmëfinalen.”

Ndërkohë, edhe nga kampi prizrenas kanë deklaruar se skuadra është e gatshme për përballjen: “Ekipi ka përfunduar stërvitjen e fundit para duelit. Me fokus dhe energji maksimale, djemtë janë gati për sfidën dhe të gatshëm të japin gjithçka në parket.”

Pavarësisht pakënaqësisë me rezultatet e fundit të klubit, tifozeria pejane ka vendosur të qëndrojë fuqishëm krah skuadrës. “Sa herë na’u ka desht, forcën te njani-tjetri e kemi gjet. Shihemi t’ejten. Sonte osht koha për neve! Ora 18:00 takohemi te palestra ‘Karagaçi’”,
thuhet në njoftimin e tifozerisë pejane “U.C.F”.

Ky mesazh lë të kuptohet se sonte në palestrën “Karagaçi” pritet një atmosferë e zjarrtë, në përkrahje të Pejës./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: