Pas vetë-aksidentit në Pejë, policia gjen armë, fishekë dhe thikë

Një rast i armëmbajtjes pa leje është zbardhur në orët e hershme të mëngjesit të kësaj të shtune në Pejë, pasi një drejtues automjeti ka shkaktuar vetë-aksident trafiku.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 24 janar 2026, rreth orës 04:05, në rrugën “Mulla Zekë Berdyna”.

Pas aksidentit, zyrtarët policorë kanë ndërhyrë dhe gjatë kontrollit të automjetit të të dyshuarit, mashkull kosovar, kanë gjetur një gëzhojë.

Tutje, sipas njoftimit zyrtar, afër veturës është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 11 copë fishekë si dhe një thikë, çka e ka ngritur nivelin e rrezikshmërisë së rastit.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga hetuesit, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Policia nuk ka bërë të ditur nëse arma ishte përdorur para aksidentit, por prania e gëzhojës në automjet mbetet element që po trajtohet në kuadër të hetimeve.

Autoritetet kanë theksuar se çdo rast i armëmbajtjes pa leje trajtohet me seriozitet dhe se veprimet e mëtejme do të ndërmerren në përputhje me procedurat ligjore./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: