Një person është privuar kundërligjshëm nga liria në Prizren, pasi dyshohet se katër persona e kanë futur me forcë në një veturë, si pasojë e një kontakti të mëhershëm që viktima kishte pasur në rrjetet sociale me një vajzë, e cila dyshohet të jetë nga Peja.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 24.01.2026, rreth orës 11:52.
“PRIVIM I KUNDËRLIGJSHËM NGA LIRIA
Piranë, Prizren / 24.01.2026-11:52. Katër persona të dyshuar-të panjohur, dyshohet se me forcë e kanë futur në veturën e tipit Seat (me targa vendore) viktimën mashkull kosovar, pasi që dyshohet se viktima kishte pasur më herët kontakt në rrjetet sociale me një vajzë e cila dyshohet të jetë nga Peja. Të dyshuarit, pas rreth një ore e kanë liruar viktimën i cili kishte pësuar lëndime të dukshme. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore janë duke u marrë me rastin. Katër të dyshuarit m/k, njëri i mitur janë arrestuar dhe si provë materiale janë sekuestruar vetura që është përdorur në rast, katër telefona dhe një elektroshok. Pas intervistimit me vendim të prokurorit tre janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në njoftimin e Policisë. /Pejanefokus.net.
