Tragjedia në Qubrel: Një vit nga aksidenti tragjik i familjes Gashi nga Peja

Bëhet një vit nga aksidenti i rëndë trafiku që ndodhi më 26 janar 2025, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, në fshatin Çubrel, i cili la pas tre të vdekur dhe pesë të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë.

Të vdekur ishin anëtarët e familjes Gashi: Zarife Gashi, rreth 70 vjeç, Agim Gashi, rreth 50 vjeç dhe Gyltene Gashi, rreth 48 vjeç. Lajmin e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila njoftoi se në aksident ishin përfshirë dy vetura, njëra prej tyre automjet zyrtar policor.

Sipas Policisë: “Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara, kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policorë.”

Gjykimi për këtë aksident u mbajt më 19 janar 2026, ku Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi me 6 vite e 6 muaj burgim pjesëtarin e Policisë së Kosovës, E.R., i cili kishte shkaktuar aksidentin me fatalitet. Gjithashtu, i njëjti mori ndalim drejtimi të automjeteve të kategorisë B për 2 vite, që do të fillojë pas përfundimit të dënimit me burgim.

Në njoftimin e gjykatës thuhet: “I pandehuri është shpallur fajtor për shkak të veprës penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’ nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafët 8 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), e cila parasheh minimumin e dënimit prej një (1) viti dhe maksimum të dënimit prej tetë (8) viteve. Gjykata ndaj të pandehurit ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite e gjashtë (6) muajsh dhe dënimin plotësues ‘Ndalimi i drejtimit të automjetit’, ashtu që të pandehurit i është ndaluar drejtimi i automjeteve të kategorisë B për një periudhë prej dy (2) vitesh, afat i cili fillon të rrjedhë pas ekzekutimit të dënimit me burgim.”

Sipas aktakuzës: “Më datë 26.01.2025, rreth orës 18:45, në rrugën Rajonale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Qubrel, Komuna Skenderaj, nga pakujdesia duke mos e përshtat shpejtësinë me kushtet e rrugës, i pandehuri E.R., duke drejtuar automjetin zyrtar, humbi kontrollin mbi automjetin dhe kaloi në shiritin e kahjes së kundërt, duke u aksidentuar me automjetin VË Golf IV të drejtuar nga tani i ndjeri Agim Gashi. Si rezultat i aksidentit, lëndime fatale pësuan A.G., G.G. dhe Z.G., ndërsa lëndime të rënda trupore pësoi i pandehuri si dhe pasagjerët e tij D.E., B.H., si dhe pasagjeri i automjetit Golf IV, fëmija L.G..”

Gjykata sqaroi se arsyetimi i këtij aktgjykimi do të shpaloset me aktgjykimin e shkruar, ndërsa palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Ky rast mbetet një nga aksidentet më tragjike të regjistruara në këtë rrugë, duke shënuar një humbje të madhe për komunitetin lokal dhe familjen Gashi./Pejanefokus.net.

Lajmi paraprak në linkun e Peja në Fokus: https://www.facebook.com/share/p/14XrVtczEQv/

LEXO EDHE: