Ku mbeti puna e rrugës Pejë–Rugovë?

Në orët e paradites së sotme, portali Peja në Fokus raportoi ekskluzivisht se në aksin rrugor Pejë–Kuqishtë, në Rugovë, ka ndodhur një aksident me shkaqe natyrore, ku një gur i madh ka rënë mbi një veturë në lëvizje.

Si pasojë e këtij rasti, përveç dëmeve të mëdha materiale, lëndime kanë pësuar një burrë, një grua dhe dy fëmijë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Sipas Policisë, të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

Megjithatë, ky rast ka rikthyer edhe një herë shqetësimin e qytetarëve dhe pyetjen e kahmotshme: Ku mbeti puna e rrugës Pejë–Rugovë?

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet qeveritare, të cilat konsiderohen kompetente për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e këtij aksi rrugor, pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e dheut dhe rënia e gurëve.

Ndryshe, në nëntor të vitit 2024, Hysen Durmishi, në atë kohë zëvendësministër i Infrastrukturës, kishte deklaruar përmes një postimi në Facebook se: Është iniciuar procedura për prokurim për sanimin emergjent të rrëshqitjeve në rrugën nacionale N9, Pejë–Kuqishtë. Po ashtu, më herët MMPHI ka iniciuar edhe procedurat për hartimin e projektit kryesor-zbatues për rekonstruktimin e segmentit Pejë–Kuqishtë–Qakorr.”

Megjithatë, nga ajo kohë e deri më sot, në këtë aks rrugor janë raportuar dhjetëra raste të rrëshqitjeve të dheut dhe rënies së gurëve, ndërsa nuk është parë asnjë punë konkrete në terren, duke e bërë rrugën një rrezik të përhershëm për qytetarët dhe turistët që frekuentojnë Rugovën.

Peja në Fokus do të vazhdojë të përcjellë këtë çështje dhe do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet përkatëse./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: