Rreth 30 studentë të Universitetit publik “Haxhi Zeka” kanë ngritur shqetësim lidhur me programin studimor “Menaxhim Turizem, Hoteleri dhe Mjedis”, pasi sipas tyre, programi ku janë regjistruar nuk përputhet me emrin dhe akreditimin e vitit 2025, kur programi ishte i njohur si “Menaxhimi i Turizmit dhe Hoteleri”.
Studentët kanë njoftuar gjithashtu se janë refuzuar për përfitim nga 100 euro për studentë, të ndara nga Qeveria e Kosovës për pakon e ringjalljes ekonomike, me arsyetimin se programi i tyre nuk është i akredituar.


Ata shprehin shqetësim se ky ndryshim i emrit dhe akreditimit mund të ndikojë në njohjen e diplomave të tyre në të ardhmen.
Në fjalën e tyre drejtuar redaksisë së Peja në Fokus, studentët thonë:
“Përshëndetje Peja në Fokus, po ju shkruaj për një problem si student që jam në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë, në Fakultetin e Menaxhimi Turizëm, Hoteleri dhe Mjedisi, në vitin e dytë. Ne kemi aplikuar për 100 euro për studentë dhe na ka ardhur email nga Ministria e Financave se programi që studiojmë, Menaxhimi Turizëm, Hoteleri dhe Mjedisi, nuk është i akredituar nga Agjencia për Akreditim të Kosovës.
Programi në vitin 2025 ishte akredituar si Menaxhimi i Turizmit dhe Hoteleri, dhe kjo është arsyeja e refuzimit të kërkesës sonë. Kur kemi diskutuar me dekani e fakultetit, z. Afrim Selimaj, na është konfirmuar se programi ishte i akredituar deri në shtator 2025 dhe na është dhënë vendimi përkatës.
Ne kemi bërë ankesë sërish, por është refuzuar për të njëjtën arsye. Jemi të shqetësuar se po studiojmë në një program që nuk është ligjërisht i akredituar dhe, kur të përfundojmë, diploma jonë mund të mos njihet.
Ju lutemi ta merrni këtë problem seriozisht si medium i shkëlqyer, pasi zëri ynë nuk po dëgjohet. Për këtë arsye, po ju dërgojmë edhe vendimin e refuzimit nga Ministria e Financave dhe vendimin e akreditimit nga fakulteti, duke kërkuar që të trajtohet në mënyrë anonime.”

Redaksia e Peja në Fokus ka drejtuar pyetje zyrtare tek Universiteti “Haxhi Zeka” për këtë çështje dhe do ta përditësojmë lajmin sapo të marrim përgjigje nga administrata e universitetit./Pejanefokus.net.
