Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj personit fizik Sh.K dhe kompanisë “Luani Transport”, për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Më 7 korrik 2025, në fshatin Gorazhdevc, Komuna Pejë, pronari Sh.K nuk ka ndërmarrë masat e duhura për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës. Si pasojë, punëtori S.R, i angazhuar si pastrues, humbi jetën gjatë kryerjes së detyrave të tij, për shkak të kontaktit me gjeneratorin.
Në komunikatën zyrtare të Prokurorisë thuhet:
“Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj personit fizik dhe kompanisë ‘Luani Transport’ për shkak të veprës penale të mos plotësimit të kushteve të punës, ku si pasojë humbi jetën punëtori S.R. Përveç dënimit penal, prokurori i shtetit ka propozuar edhe dënimin plotësues ‘Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës’.”
Prokuroria thekson se veprimet e ndërmarra janë në pajtim me Kodin Penal dhe Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, me qëllim sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit./Pejanefokus.net.
