Një shkelje e rregullave të trafikut ka tërhequr vëmendje të madhe në Pejë, pasi një vozitës është kapur duke ecur me shpejtësi ekstreme në zonë urbane.
Sipas Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, më 02.02.2026, rreth orës 21:25, në rrugën “Agim Binak Qelaj”, vozitësi i një BMW-je është regjistruar duke lëvizur me 104 km/h, në një zonë ku kufizimi është vetëm 40 km/h. Shpejtësia është kapur nga vetura inteligjente e Policisë.
“Kundërvajtësit i është shqiptuar fletëgjobë prej 300 euro dhe 6 muaj masë mbrojtëse. Pas verifikimit nga zyrtarët policorë, u konstatuan edhe shkelje të mëtejshme dhe i është shqiptuar fletëgjobë tjetër prej 500 euro dhe 6 muaj masë mbrojtëse, me ndalesë të vozitjes deri më 13.04.2026,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Policia apelon te të gjithë vozitësit që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut, duke theksuar se shkelje të tilla janë rrezik serioz për jetën e qytetarëve./Pejanefokus.net.
