Komuna e Pejës ka deklaruar se funksionalizuar dy pika të reja të Urgjencës, në Bogë të Rugovës dhe në Vitomiricë, duke zgjeruar rrjetin e shërbimeve shëndetësore emergjente dhe duke e afruar ndihmën mjekësore më pranë qytetarëve.
Spas njoftimit, njësia e Urgjencës në Bogë do t’u shërbejë banorëve të zonës së Rugovës dhe fshatrave përreth, një rajon me qasje më të vështirë, sidomos gjatë sezonit dimëror dhe fluksit turistik dhe shërbimet në këtë njësi do të ofrohen 7 ditë të javës, nga ora 08:00 deri në 18:00.
Ndërkaq, pika e Urgjencës në Vitomiricë do të mbulojë një numër të madh vendbanimesh, përfshirë Vitomiricën, Ozdrimin, Dubovën, Novosellën, Jabllanicën, Radavcin, Katundin e Ri, Treboviqin, Nabërgjanin, Ruhotin, Lutogllavën dhe Trestenikun, e orari i shërbimeve në Vitomiricë do të jetë 7 ditë të javës, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Sipas njoftimit, të dyja njësitë janë të pajisura me staf shëndetësor profesional dhe infrastrukturë adekuate për ofrimin e ndihmës së parë, stabilizimin e pacientëve dhe referimin e tyre në institucionet përkatëse shëndetësore./Pejanefokus.net.
