Kastratët falin gjakun për familjen Shala – pas aksidentit me fatalitet në Loxhë

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur në mëngjesin e së shtunës, më 7 shkurt 2026, në fshatin Loxhë të Pejës, ku si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë Agnesa Kastrati, vozitëse e njërës nga veturat e përfshira në aksident. Vozitësi i veturës tjetër, i cili sipas policisë po cilësohet si shkaktari i aksidentit, ka pësuar lëndime trupore.

Varrimi i të ndjerës u bë një ditë më pas, në prani të një numri të madh njerëzish. Para ceremonisë, familja Kastrati realizoi një akt human të faljes së gjakut ndaj familjes së shkaktarit të aksidentit.

LINKU I LAJMI RRETH NGJARJES: https://pejanefokus.net/nje-femer-humb-jeten-nga-aksidenti-ne-loxhe-te-pejes/

Në këtë ngjarje, një familjar i familjes Kastrati, z. Din Kastrati, iu drejtua të pranishmëve me fjalët:

“Të dashur familjarë, miq, dashamirë dhe të gjithë ju të pranishëm që sot jeni mbledhur në këtë tubim mortor për ta nderuar Agnesën tonë dhe, njëkohësisht, për ta ndarë dhimbjen me familjen Kastrati.

Sot qëndrojmë këtu me zemra të thyera, të goditur nga një dhimbje e madhe dhe e papritur. Humbja e Agnesës sonë në atë aksident tragjik na ka lënë një boshllëk të thellë, një plagë që koha vështirë se do ta shërojë. Ajo ishte vajzë e dashur, shpresë e familjes, dritë për rrethin e saj — e urtë, e edukuar dhe me ëndrra që, fatkeqësisht, mbetën në gjysmë.

Agnesa do të mbetet përherë në kujtesën tonë si simbol i mirësisë, respektit dhe dashurisë njerëzore. Buzëqeshja, modestia dhe edukata e saj janë kujtime që askush nuk mund t’i zbehë. Edhe pse u nda shumë herët nga ne, ajo do të jetojë gjithmonë në zemrat tona dhe në çdo kujtim që ndajmë për të.

Familja Kastrati, ndër breza, është përpjekur të jetojë mbi vlerat e atdhedashurisë, besës, nderit, fisnikërisë, respektit, urtësisë dhe pajtimit. Këto janë themelet që na kanë mbajtur të fortë edhe në ditët më të rënda. Prandaj, edhe sot — në këtë dhimbje të madhe — ne zgjedhim maturinë, dinjitetin dhe humanitetin.

Me këtë frymë, dëshirojmë të shprehim respektin tonë edhe për familjen Shala. Urojmë sinqerisht që familjari i tyre, i cili ishte pjesë e këtij aksidenti të rëndë, të gjejë shërim të plotë dhe forcë për ta përballuar këtë sprovë të vështirë. Dhimbja është e madhe për të gjithë dhe besojmë se vetëm mirëkuptimi dhe urtësia na ndihmojnë ta kalojmë.

Në shenjë respekti, pajtimi dhe tradite shqiptare, ftohet familja Shala që, nëse e ndiejnë të arsyeshme, të afrohet pranë arkivolit të Agnesës sonë. Kryefamiljari Iber Mete Kastrati, së bashku me djemtë, nipat dhe gjithë familjen e gjerë Kastrati nga Dobërdoli, kanë vendosur të shtrijnë dorën e mirëkuptimit dhe respektit përballë kësaj tragjedie. Ky është një gjest fisnik dhe njerëzor, që nderon kujtimin e saj dhe vlerat që duhet të na bashkojnë si komb.

Njëkohësisht, dëshirojmë ta theksojmë qartë — dhe të informojmë opinionin publik — se ky akt pajtimi është thjesht moral, njerëzor dhe tradicional, dhe në asnjë mënyrë nuk ndërhyn apo nuk cenon aspektet ligjore, institucionale apo procedurat që zhvillohen sipas ligjit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës.

Le ta kujtojmë Agnesën me lutje, me dashuri dhe me respekt — ashtu siç ajo vetë jetoi.

Ajo do të mbetet gjithmonë pjesë e shpirtit tonë.

Agnesa jonë e dashur do të na mungojë përherë.

U prehtë në paqe.

Në vazhdim, ftojmë familjet Shala dhe Kastrati të vazhdojnë me ceremoninë e shtrirjes së dorës së pajtimit për këtë akt tragjik.”- u tha në këtë ceremoni varrimi./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: