A po përdoret ‘Borea’ si deponi për mbeturinat e qytetit – dhe nga kush ?

Në disa raste ka pasur akuza ndaj qytetarëve për hedhje të pakontrolluar të mbeturinave në hapësira publike. – Megjithatë, një fotografi e siguruar nga redaksia e Peja në Fokus ngre një tjetër pyetje: A po përfundojnë mbeturinat e mbledhura nga shërbimet publike në një hapësirë që nuk është deponi zyrtare?

Në afërsi të parkut të qytetit, pas objekteve të Universiteti “Haxhi Zeka”, ndodhet një gropë e madhe – hapësirë ku vite më parë ishte promovuar nisja e projektit milionësh “Borea”.

Në fotografinë e siguruar shihet një kamionetë e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ekosig”, e parkuar pranë kësaj grope. Një punëtor në uniformë shihet duke shkarkuar mbeturinat me lopatë nga rimorkioja që përfundojnë brenda gropës, ndërsa një person tjetër në rroba civile ndodhet aty gjatë veprimit.

Redaksia ka tentuar të marrë sqarime nga drejtori i “Ekosig”, Esat Abdullahu, duke e kontaktuar me telefon dhe me shkrim, si dhe duke i dërguar fotografinë e siguruar, por deri në momentin e publikimit ai nuk është përgjigjur.

Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejë, Agron Nikçi, ka deklaruar se punëtorët janë të obliguar që mbeturinat t’i dërgojnë në deponinë zyrtare në fshatin Sferkë, ndonëse sipas tij ajo deponi ka tejkaluar kapacitetet e saj.

Mbetet e paqartë nëse hapësira në afërsi të parkut po përdoret përkohësisht, për shkak të mbingarkesës së deponisë në Sferkë, apo jashtë procedurave të rregullta për menaxhimin e mbeturinave.

Portali Peja në Fokus do të publikojë çdo reagim zyrtar lidhur me këtë çështje./Pejnefokus.net.

LEXO EDHE: