Lëndohet një qytetar në Pejë – rrëshqet tek “Shtegu i Mushkave”

Një qytetar është lënduar të dielën e 8 marsit 2026, pasi ka rrëshqitur gjatë ecjes në “Shtegun e Mushkave”, – në zonën e Grykës së Rugovës në Pejë, duke mbetur i bllokuar në një pjesë të rrezikshme të terrenit.

“Një qytetar i Republikës së Kosovës, gjatë ecjes në ‘Shtegun e Mushkave’ në Pejë, ka rrëshqitur për disa metra në një terren të pjerrët ku si pasojë ka pësuar lëndime trupore dhe ka mbetur i bllokuar në një pjesë të ekspozuar me rrezik të lartë për rënie në humnerë”, thuhet në njoftimin e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

Sipas komunikatës, qytetari ka kërkuar ndihmë për shkak të pozicionit të rrezikshëm ku ndodhej dhe konfiguracionit të vështirë të terrenit. Pas pranimit të thirrjes për ndihmë, një ekip i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor nga stacioni i Pejës është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.

Pas mbërritjes në terren, ekipi ka bërë vlerësimin e situatës, i ka ofruar ndihmën e parë qytetarit të lënduar dhe më pas ka realizuar evakuimin e tij në mënyrë të sigurt.

Operacioni i shpëtimit ka përfunduar me sukses, ndërsa nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës i është uruar shërim i shpejtë qytetarit./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: