Një person është arrestuar gjatë së hënës nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në një rast dhunimi ndaj një të miture gjatë muajit shkurt në Pejë.
Këtë e bëri të ditur Policia e Kosovës nëpërmjet një raporti shtesë, të cilin e ka pranuar Redaksia e portalit Peja në Fokus.
“PERSON I ZHDUKUR – I GJETUR & DHUNIM
Pejë / 19.02.2026 – 16:00. Lidhur me rastin, më 09.03.2026, pas veprimeve hetimore janë identifikuar dhe shoqëruar në stacion policor një i dyshuar mashkull kosovar dhe një dëshmitar mashkull kosovar. Pas intervistimit, dëshmitari është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Për të sqaruar situatën dhe për të konfirmuar se bëhet fjalë për dy persona të arrestuar të tjerë lidhur me të njëjtin rast, Peja në Fokus kontaktoi zëdhënësin e Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili konfirmoi arrestimet dhe shoqërimet.
Ndryshe, ngjarja filloi më 19 shkurt, kur një baba raportoi në Polici se vajza e tij e mitur ishte larguar nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më.
Lajmi në link: https://pejanefokus.net/babai-raporton-ne-polici-vajza-ime-nuk-u-kthye/
Më vonë, vajza është identifikuar si viktimë e një dhunimi.
Sipas raportit paraprak të Policisë, i arrestuari i parë dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e viktimës.
Lajmi pasues në link: https://pejanefokus.net/e-mitura-e-zhdukur-ne-peje-dyshohet-se-u-dhunua-nje-i-arrestuar/
Së fundmi, më 9 mars, lidhur me këtë rast, u bënë edhe dy shoqërime të tjera në Policinë e Pejës, ku një person u lirua si dëshmitar, ndërsa tjetri u dërgua në mbajtje si i dyshuar i dytë i përfshirë në të njëjtin rast./Pejanefokus.net.
