Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave për manipulim të votave në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025.
Sipas kësaj prokurorie, pritet që numri i kallëzimeve të arrijë në 31, ndërsa të përfshihen rreth 200 persona, kryesisht kryesues dhe komisionerë të vendvotimeve në komunën e Pejës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, citohet se ka bërë të ditur në një deklarim për mesian “Ekonomia Online”, se hetimet janë në zhvillim dhe po realizohen në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.
“Në kuadër të hetimeve që jemi duke ndërmarrë për procesin zgjedhor të manipulimit të votave përkatësisht të numërimit të kandidatëve të subjekteve politike. Prokuroria Themelore në Pejë, për komunën e Pejës deri më tani ka pranuar nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave. Ndërkaq për këtë komunë priten të pranohen gjithsej 31 kallëzime penale ndaj 200 personave, kryesisht kryesues dhe komisionerë të vendvotimeve. Ndërkaq më pas Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore”, citohet se tha Nikçi.
Ai bëri të ditur se deri tani janë intervistuar 49 persona si të dyshuar për manipulim të votave, ndërsa pritet që të intervistohen mbi 200 persona të tjerë vetëm për komunën e Pejës.
“Deri më tani janë intervistuar 49 persona dhe kemi pranuar nëntë kallëzime penale. Priten të intervistohen vetëm për komunën e Pejës mbi 200 persona dhe të pranohen mbi 31 kallëzime penale ndaj tyre. Pasi të pranohen këto, besoj që Prokurori i Shtetit do t’i analizojë dhe njëkohësisht në shumicën e rasteve kemi ndërmarrë edhe veprime të tjera ligjore që kjo fazë është konfidenciale, mirëpo pasi që të përfundojë i gjithë procesi do të njoftohet opinioni publik”, citohet se ka shtuar ai./Pejanefokus.net/
