Pas pyetjes së portalit Peja në Fokus për punësimin e personave me Sindromë Down në institucionet komunale, Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka asnjë të punësuar, njësoj sikurse edhe vite më parë, kur patëm raportuar.
“Ju njoftojmë se aktualisht në Komunën e Pejës nuk ka persona me sindromë Down të punësuar në institucionet komunale. Për informata më të detajuara lidhur me të dhënat e punësimit, mund t’i drejtoheni Zyrës së Burimeve Njerëzore në Komunën e Pejës, si njësi përgjegjëse për çështjet e punësimit.”-thuhet mes tjerash në përgjigje.

Sipas kësaj zyre, personat me sindromë Down janë të përfshirë në aktivitete dhe iniciativa institucionale, për të shtuar se zhvillohen edhe takime me organizatat përkatëse, të cilat gjithashtu theksojnë se vazhdimisht kërkojnë mundësi punësimi për personat që janë të aftë për punë, në përputhje me aftësitë dhe kapacitetet e tyre individuale.
Zyra gjithashtu thekson se:“Punësimi i personave me sindromë Down dhe personave me aftësi të kufizuara mbetet një prioritet i rëndësishëm në kuadër të promovimit të barazisë, përfshirjes dhe mundësive të barabarta në Komunën e Pejës.”
Ndryshe, situatë e njëjtë ishte edhe gjatë viteve të kaluara./Pejanefokus.net/
Lajmi paraprak në link: https://pejanefokus.net/sindroma-down-ne-peje-sa-persona-jane-te-punesuar-ne-institucionet-komunale/
