Një organizatë sportive private ka vendosur reklama brenda dhe jashtë palestrës së një shkolle publike në Pejë, ndërsa e shfrytëzon këtë hapësirë pa obligime financiare ndaj komunës. Institucionet konfirmojnë mungesën e pagesës, por nuk ofrojnë dokumente konkrete ligjore që e rregullojnë këtë praktikë. Në të njëjtën kohë, organizata ka përfituar subvencione komunale dhe, sipas informacioneve jozyrtare, pranon pagesa mujore nga nxënësit. Disa nga akterët kryesorë nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
Reklama private në objektin publik shkollor në Pejë
Në murrin e jashtëm të palestrës së sporteve të shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Pejë është vendosur një reklamë e madhe e organizatës joqeveritare sportive “Presing”, e cila merret me ushtrimin e fëmijëve në basketboll.
Reklama është e vendosur në një pjesë të dukshme ku frekuentojnë këmbësorët dhe automjetet. Një tjetër reklamë, e formatit më të vogël, ndodhet në hyrje të palestrës, ndërsa materiale të tjera promovuese janë vendosur edhe në hapësirat e brendshme të objektit.

Pyetjet e ngritura ngaRedaksia e portalit ‘Peja në Fokus’ nuk morrën përgjigje nga Vigan Radoni – drejtues i organizatës “Presing”.
Për të kuptuar mbi cilat baza ligjore dhe administrative është zbatuar kjo praktikë, portali ‘Peja në Fokus’ ka drejtuar pyetje zyrtare tek drejtuesit institucionalë dhe tek përfaqësuesit e organizatës.

Megjithatë, përgjigje nuk janë pranuar nga drejtuesi i organizatës “Presing”, Vigan Radoni, si dhe as nga drejtoresha e shkollës “Lidhja e Prizrenit”, Mejreme Shatri Kolica, të cilët së bashku me drejtoreshën e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve janë parë duke drekuar bashkë, madje kanë publikuar edhe fotografi.

Madje, në hulumtimet tona kemi parë se “Presingut” të Vigan Radonit, krahas favorit të shumëfisht në këtë palestër, Komuna e Pejës, përkatësisht DKRS-ja e Xhenet Syka Kelmendit i pati ndarë edhe subvencione me para, nga buxheti i Komunës së Pejës.

Vendosja e reklamave private “gratis”, në institucion publik, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Pejë u arsyetua me “masovizimin e sportit”
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Xhenet Syka Kelmendi, ka konfirmuar se organizata nuk ka obligime financiare për shfrytëzimin e palestrës dhe vendosjen e materialeve promovuese.
“Sa i përket rastit konkret të Shkollës së Basketbollit “Presing”, ju siguroj me përgjegjësi të plotë se vendosja e materialeve promovuese është realizuar nga vetë shkolla e basketbollit”Presing”me dakordim të ndërsjellë. Prezantimi i brendit në asnjë formë nuk e obligon Shkollën e Basketbollit financiarisht, as ndaj Komunës së Pejës dhe as ndaj SHFMU “Lidhja e Prizrenit”. Kjo praktikë është realizuar ekskluzivisht me qëllim të promovimit të aktivitetit sportiv dhe masovizimit të sportit, në veçanti të basketbollit për vajza dhe djem.
Po ashtu, ju informoj se në palestrën sportive të SHFMU “Lidhja e Prizrenit” aktivitetet e tyre i zhvillojnë edhe pesë klube të tjera të basketbollit, të cilat deri më tani nuk kanë shprehur interesim për vendosjen e materialeve promovuese në hapësirat e palestrës.
Megjithatë, edhe këto formacione nuk janë të përjashtuara dhe kanë të drejtë të vendosin reklamat e tyre, nëse shprehin interesim. E gjithë kjo është në funksion të masovizimit dhe promovimit të sportit shkollor në Pejë.
Vlen të theksohet se të gjitha stërvitjet zhvillohen pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor, pa asnjë ndërhyrje në procesin mësimor, dhe se Shkolla e Basketbollit “Presing” dhe jo vetëm ushtrojnë aktivitetin e tyre në të njëjtën adresë prej më shumë se një dekade.”

Nga Drejtoria e Arsimit e legjitimojnë vendosjen e reklamave në objekte shkollore – por pa ofruar bazë ligjore
Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, ka dhënë një përgjigje të përgjithshme për përdorimin e palestrave shkollore:
“Përshendetje! Lidhur me interesimin tuaj,ju njoftojmë se: Palestrat sportive te shkollave ,fillimisht janë ne dispozicion te nxënësve te shkollave përkatëse gjat orarit mësimor.Pas orarit mësimor ato janë në dispozicion edhe te sportistëve dhe klubeve tjera te sportit që promovojnë vlerë.E keni parasysh edhe aktivitet institucionale të ,,Sportit shkollor,është masovizim tejet pozitiv. Në shkollën,për te cilen jeni te interesuar ju njoftojmë se zhvillojnë aktivitete përgatitore afë 300 te rinj nga klube dhe asociacone sportive.Të njejtat mund te vendosin reklama promovuese.Pëlqimin per perdorimin e palestrave e bëjnë zyrtarët e DKA-ve,DKRS,etj.duke u koordinuar me menagjmentin e shkollës.Qëllimi bazë është masovizimi i te rinjëve në aktivitete sportive,njëherit përgjegjësia e tyre në mirëmbajtje dhe shfrytëzim të kujdesshëm te palestrave ne fjalë.”
Pas kërkesës për sqarim konkret mbi bazën juridike për vendosjen e reklamave, nuk është ofruar përgjigje shtesë.

Nga Drejtoria për Çështje Pronësore Juridike konfirmojnë se nuk ka pasur kërkesë për vendosjen e reklamave – por edhe ata sikur e kanë “lejuar” këtë veprim
Nga Drejtoria për Çështje Pronësore Juridike është bërë e ditur se për këtë rast nuk është paraqitur asnjë kërkesë për vendosjen e materialeve reklamuese.
“Sa i përket pyetjes suaj lidhur me vendosjen e materialeve reklamuese në objekte publike, konkretisht në palestrën e SHFMU “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, ju njoftojmë se në Drejtorinë për Çështje Pronësore-Juridike nuk është paraqitur asnjë kërkesë për vendosjen e materialit reklamues. Kjo për arsye se reklama e vendosur ndodhet brenda kuadrit të objektit publik, përkatësisht në palestrën e kësaj shkolle.”

Takime dhe dhurata të dokumentuara mes të Vigan Radonit si dhe drejtoreshës Syka Kelmendi
Portali ‘Peja në Fokus’ ka siguruar fotografi që tregojnë takime mes përfaqësuesve të organizatës “Presing” dhe zyrtarëve komunalë.
Në fotografitë e siguruara, drejtuesi i organizatës, Vigan Radoni, shihet duke i dhuruar dhurata të personalizuara drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhenet Syka Kelmendi, si shenjë falënderimi.

Po ashtu, në një tjetër fotografi, Radoni shihet në një drekë të përbashkët me drejtoreshën Syka Kelmendi dhe drejtoreshën e shkollës “Lidhja e Prizrenit”, Mejreme Shatri Kolica.
Subvencionet komunale dhe pagesa nga nxënësit për “Presing”
Sipas dokumenteve të siguruara, organizata “Presing” ka përfituar subvencione nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës.
Ndërkohë, sipas informacioneve jozyrtare të siguruara nga ‘Peja në Fokus’, nxënësit që ushtrojnë në këtë organizatë joqeveritare sportive, raportohet nga prindërit se paguajnë edhe rreth 20 euro në muaj për pjesëmarrje në stërvitje, përkundër faktit se palestra është në dispozicion për ‘Presingun’ dhe reklamat gratis të saj në këtë objekt shkollorë.
Për këtë çështje janë kërkuar sqarime edhe nga drejtuesit e organizatës, por deri në momentin e publikimit nuk është pranuar përgjigje zyrtare.
Çështjet e hapura
Nga përgjigjet e institucioneve dhe mungesa e dokumenteve konkrete, mbeten të paqarta disa çështje:
• Mbi cilën bazë juridike janë vendosur reklamat në objekt publik ?
• A ekziston kontratë apo marrëveshje zyrtare për shfrytëzimin e palestrës dhe vendosja e reklamave?
• Pse nuk ka obligime financiare për një subjekt që përdor hapësirë publike madje edhe për reklama?
• Cili institucion ka dhënë autorizimin për këtë praktikë ?

Rasti i vendosjes së materialeve reklamuese të një organizate private në një objekt publik shkollor në Pejë mbetet i paqartë në aspektin ligjor dhe administrativ.
Pavarësisht përgjigjeve të dhëna, institucionet nuk kanë ofruar dokumente konkrete që autorizojnë këtë praktikë, ndërsa mungesa e përgjigjeve nga disa palë e lë çështjen të hapur./Pejanefokus.net.
