Shtatë meshkuj e tre femra janë shoqëruar gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Pejës, për intervistim, nën dyshimin e kryerjes së vepres “Faslsifikim i rezultateve të votimit”, që raportohet se ka ndodhur në një prej qendrave të numërimit, në Gjimnazin “Bedri Pejani” i cili ndodhet në rrugën “Gjergj Fishta”, në Pejë.
Kjo u bë e ditur edhe zyrtarisht nga ana e Policisë së Kosovës, me anë të raportit 24 orësh, në dy pjesë të ndara.
“Rr. Gjergj Fishta, Pejë 30.12.2025-15:32. Lidhur me rastin, janë shoqëruar në stacionin policor katër meshkuj dhe një femër kosovar-e, ku pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.”- thuhet në pjesën e parë të këtij raporti, për të vijuar tutje edhe me raortin tjetër:”Rr. Gjergj Fishta, Pejë 30.12.2025-15:32. Lidhur me rastin, janë shoqëruar në stacionin policor tre meshkuj dhe dy femra kosovar-e, ku pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.”
Ndryshe, siç raportoi sot ‘Peja në Fokus’, duke u bazuar në raportimet e portalit “Sinjali”, të dyshuar sa i përket këtij intervistimi janë personat me iniciale: Sh.B, V.V, G.M, K.Sh, A.A, P.Sh, Sh.M, D.K, Ç.U, A.TH.
Ndërsa, siç raporton portali “Klan Kosova”, në Pejë pritet të dorëzohen gjithsej 31 kallëzime penale ndaj mbi 200 personave, të dyshuar për falsifikim dhe manipulim të rezultateve zgjedhore për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, citohet të ketë thnënë se rastet lidhen me ndërhyrje në procesin e numërimit dhe evidentimit të votave, ndaj kryesuesve dhe komisionerëve të dyshuar.
Ndryshe, raste të ngjashme për manipulim votash janë raportuar edhe më herët në Pejë./Pejanefokus.net.
