Teatri “Istref Begolli” në Pejë – Më shumë se 3 vite i mbyllur

27 marsi shënon Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, ndërsa në Pejë, objekti i Teatrit “Istref Begolli” vazhdon të jetë i mbyllur për publikun që nga nëntori i vitit 2022 – rreth 3 vite e 4 muaj më parë.

Për të kuptuar gjendjen e punimeve dhe datën e rihapjes, Peja në Fokus ka drejtuar pyetje në Komunën e Pejës.

Në përgjigjen e saj, Xhenet Syka Kelmendi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, tha:

“Ju njoftojmë se të gjitha përgjigjet dhe informatat përkatëse lidhur me çështjet e ngritura do të publikohen në kohë dhe në përputhje me standardet e transparencës institucionale në faqet zyrtare të Komunës së Pejës, si dhe në faqen zyrtare të Teatrit Profesionist “Istref Begolli”. Ju lutemi që për informim të mëtejmë të ndiqni kanalet tona zyrtare të komunikimit.”

Kjo nuk tregon një afat konkret për përfundimin e punimeve, duke nënkuptuar se komuna ende po ka nevojë për kohë.

Ndryshe, në vitin 2023, drejtoresha e teatrit, Krenare Luta Radoniqi, kishte deklaruar se në Teatrin “Istref Begolli” ishin të punësuar 16 persona, përfshirë stafin administrativ, tekniko-artistik dhe 7 aktorë. Gjatë vitit 2022 janë realizuar 14 shfaqje teatrale.

Sipas informacionit nga Zyra e Prokurimit, renovimi është i ndarë në dy lote:

Lot 1: Punimet e Renovimit – vlerë 254,895.00 €

Lot 2: Instalimi i ventilimit, kanalizimit dhe ngrohjes – vlerë 142,262.92 €

“Punimet pritet të kryhen brenda 365 ditëve kalendarike nga data e nënshkrimit të kontratës”, ishte deklaruar më herët.

Megjithatë, edhe pas më shumë se dy vitesh nga nisja e renovimit, objekti vazhdon të mos jetë funksional për publikun./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: