Puna e heshtur që shpëton jetë – historia e Dr. Nita Turjakës dhe Dr. Mondi Mulhaxhës në Pejë

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Klinike të Spitalit Rajonal të Pejës, çdo ditë zhvillohet një punë e heshtur, por vendimtare për shëndetin e qytetarëve.

Dr. Nita Turjaka, specialiste e mikrobiologjisë klinike, tash e shumë vite mban përgjegjësinë e analizave dhe diagnostikimit të sëmundjeve infektive. Përveç punës profesionale, ajo e sheh si detyrë të ndajë përvojën me gjeneratat e reja. “Çdo analizë është një hallkë në zinxhirin e shëndetit publik – mbase qytetarët nuk na shohin shpesh, por ne jemi aty për ta, çdo ditë”, thotë ajo.

Një prej atyre që ka marrë frymëzim nga puna e saj është Dr. Mondi Mulhaxha, specializant i mikrobiologjisë klinike. Ai tashmë po dëshmon se përkushtimi i brezit të ri është garanci për të ardhmen: “Për mua është nder të mësoj në këtë laborator dhe të kontribuoj për qytetin tim. Shëndeti i njerëzve është përgjegjësi që nuk njeh orar.”

Gjatë viteve të fundit, ky laborator ka pasur rol të rëndësishëm në menaxhimin e rasteve infektive dhe në sigurimin e diagnozave të shpejta për qytetarët e Pejës, duke u bërë një shtyllë e padukshme, por jetike për shëndetin publik./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: