Dita e parë në fshatin Strellc i Ulët të Deçanit u shndërrua në një kujtim të rëndë që askush nuk do ta harrojë lehtë. Një zjarr i fuqishëm përfshiu shtëpinë e banorit Avni Malë Çelaj, duke e kthyer atë në hi brenda pak çastesh. Por ajo që pasoi, ishte një histori e rrallë solidariteti që tejkalon dhimbjen.
Në një moment kur humbja dukej e plotë, fshati nuk u nda — u bashkua. E gjithë bashkësia u mobilizua për të ringritur atë që flakët e kishin shkatërruar.

Për “Peja në Fokus”, ka folur imami i fshatit, Besim Halilaj, i cili ka përshkruar momentet e rënda dhe reagimin e menjëhershëm të komunitetit.
“Me sa më kujtohet, për këto 23 vite që shërbej si imam, nuk kemi pasur raste të tilla në Strellc të Ulët. Atë ditë ishim në një të pame në fshat, kur ndodhi zjarri në shtëpinë e Avni Malë Çelaj. Ishte një ndjenjë që na ktheu në kohë lufte,” tha Halilaj.
Ai tregon se situata e familjes e bëri edhe më të rëndë këtë fatkeqësi, por njëkohësisht edhe më të fortë reagimin e njerëzve.
“Avniu, bashkë me bashkëshorten e tij, janë sprovuar nga Allahu — nuk kanë fëmijë — dhe kjo ishte edhe një shtytje më shumë për t’u mobilizuar si komunitet,” shtoi ai.
Sipas tij, gjithçka nisi me një thirrje të thjeshtë, por vendimtare.
“Fillimisht, nisma nisi me një thirrje që ia bëra veçanërisht Valdet Shalës, i cili u përgjigj menjëherë duke thënë: ‘Unë i kryej të gjitha punimet e vrazhda.’ Më pas erdhën edhe shumë ndihma të tjera. Në veçanti, çdo shtëpi ka dhënë kontribut dhe vazhdon të japë,” theksoi imami.
Solidariteti u kthye në veprim konkret. Brenda pak ditësh, u mblodh një shumë e konsiderueshme dhe u siguruan materiale ndërtimore.
“Deri tani janë mbledhur afër 30 mijë euro. Gjithashtu, pjesa dërrmuese e materialeve ndërtimore është siguruar falas, të cilat i kam të evidentuara dhe të publikuara në Facebook,” tha Halilaj.
Ai njoftoi se puna për rindërtimin do të nisë menjëherë.
“Nesër, ditë e mërkurë, do të fillojmë me ndërtimin. Lusim Allahun që ta lehtësojë këtë punë, ta bëjë hajr për familjen dhe ta shpërblejë secilin që ka dhënë dhe do të japë kontribut,” përfundoi imami i Strellcit të Ulët.
Në mes të hirit dhe dhimbjes, Strellci nuk pa vetëm një shtëpi të rrënuar — pa një fshat që u ngrit bashkë, për të rindërtuar jo vetëm muret, por edhe shpresën./Pejanefokus.net.
