Nga 1 maji 2026 në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë do të nis “triazhimi” – ku vetëm rastet urgjente trajtohen menjëherë.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se nga data 1 maj 2026 në Repartin e Emergjencës do të fillojë zbatimi i sistemit të ri të triazhimit, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e trajtimit të rasteve më kritike.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë pacientët që paraqiten në Emergjencë do t’i nënshtrohen një vlerësimi fillestar mjekësor, ku do të përcaktohet niveli i urgjencës dhe prioriteti i trajtimit.
“Trajtimi do të ofrohet në bazë të prioritetit mjekësor, duke filluar nga rastet me rrezik të menjëhershëm për jetën,” thuhet në njoftim.
Çfarë ndryshon për qytetarët?
Me sistemin e ri:
- Pacientët nuk do të trajtohen më sipas rendit të ardhjes, por sipas gjendjes shëndetësore.
- Rastet jo urgjente do të orientohen te kujdesi parësor ose shërbimet specialistike.
- Emergjenca nuk do të shërbejë për kontrolle rutinë apo raste të lehta.
Rregulla të reja në hyrje
Spitali ka vendosur edhe masa të reja organizative:
- Në Emergjencë lejohen vetëm rastet urgjente.
- Ndalohet kalimi nga Emergjenca në repartet tjera të spitalit.
- Për repartet tjera do të përdoren hyrje të veçanta.
- Lejohet vetëm një përcjellës për pacient, vetëm kur është e domosdoshme.
- Qëndrimi i personave të tjerë brenda Emergjencës nuk lejohet.
Qëllimi i sistemit
Sipas spitalit, ky organizim synon:
- trajtim më të shpejtë për rastet kritike,
- rritje të sigurisë në hapësirat emergjente,
- dhe menaxhim më të rregullt të fluksit të pacientëve.
Mosrespektimi i rregullave të reja, sipas njoftimit, do të trajtohet në bazë të rregulloreve në fuqi./Pejanefokus.net.
