Inspektorati i Punës ‘zbarkon’ në Pejë: ndalen punime në ndërtimtari
Inspektorati Qendror i Punës ka intensifikuar kontrollet në Pejë, ku në kuadër të ditës së gjashtë të aksionit të jashtëzakonshëm janë kryer 13 inspektime në sektorin e ndërtimtarisë.
Sipas një komunikate zyrtare, nga këto inspektime janë marrë masa konkrete, ku janë ndaluar dy punime, ndërsa janë shqiptuar edhe gjashtë vërejtje për shkelje të konstatuara në terren.
Ky aksion është duke u zhvilluar në të gjithë territorin e Kosovës, në bazë të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin ligjor të Inspektoratit.
Në këtë fazë, fokusi i inspektimeve ka qenë plotësisht në sektorin e ndërtimtarisë, i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për sigurinë e punëtorëve.
“Subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve do të procedohen automatikisht në gjykatë për kundërvajtje,” thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në ditët në vijim do të realizohen edhe riinspektime, për të verifikuar nëse janë eliminuar parregullsitë brenda afateve të përcaktuara.
Ky aksion synon rritjen e sigurisë në vendin e punës dhe parandalimin e rreziqeve në sektorët me ndjeshmëri të lartë, siç është ndërtimtaria./Pejanefokus.net.
