Dita Botërore e Lirisë së Shtypit: Gazetaria lokale në Pejë mes presioneve, padive dhe sfidës për të raportuar
Të funksionosh si media dhe të jesh gazetar në një qytet “të vogël” si Peja shpesh nënkupton më shumë sesa vetëm raportim të lajmeve. – Përtej kronikave të përditshme, mediat lokale përballen kohë pas kohe me mungesë transparence, jo rallëherë edhe me presione politike, ka pasur raste edhe me sulme verbale dhe forma të ndryshme ndikimi.
Një nga sfidat më të shpeshta mbetet qasja në dokumente dhe informata publike. Ka pasur raste kur për të siguruar përgjigje nga Komuna e Pejës, mediat janë detyruar të kërkojnë ndërmjetësim nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, pas mungesës së përgjigjeve institucionale.
Për shkak të raportimeve, nuk kanë munguar as sulmet e drejtpërdrejta ndaj gazetarëve dhe mediave lokale — qoftë verbale apo përmes rrjeteve sociale. Në disa raste, këto kanë përfunduar edhe me aktakuza dhe vendime gjyqësore në Pejë.
Sfidë tjetër mbeten presionet politike dhe ekonomike. Ka raste kur biznese lokale, për shkak të afërsisë me politikën apo institucione të caktuara, zgjedhin të bojkotojnë mediat që raportojnë tema të ndjeshme ose kritike.
Në raste të caktuara janë përdorur edhe padi të tipit SLAPP — procese gjyqësore që perceptohen si përpjekje për të ushtruar presion ndaj mediave dhe për të dekurajuar raportimin kritik ndaj institucioneve.
Po ashtu, nuk kanë munguar as ankesat në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) nga përfaqësues politikë që drejtojnë institucione publike, shpesh si reagim ndaj raportimeve mediale.
Një tjetër sfidë për gazetarët lokalë mbetet mungesa e një asociacioni funksional të gazetarëve në nivel lokal. Peja dikur, të paktën formalisht, ka pasur një organizim të tillë, ndërsa sot mungon një mekanizëm lokal që do të mund të ofronte mbështetje, reagim dhe solidaritet profesional për mediat dhe gazetarët.
Megjithatë, pavarësisht sfidave, “Peja në Fokus” vazhdon të funksionojë si media e pavarur, falë vetfinancimit dhe krijimit të të hyrave përmes shërbimeve që ofron. Prezenca e saj në një objekt jashtë institucioneve publike, si dhe fakti që është punëdhënëse dhe tatimpaguese, konsiderohen elemente të rëndësishme për ruajtjen e pavarësisë editoriale dhe funksionimit profesional.
Në një kohë kur besimi në informacion po sfidohet çdo ditë, mediat lokale mbeten ndër zërat e rrallë që trajtojnë problemet reale të qytetarëve — nga infrastruktura, shëndetësia e deri te transparenca institucionale.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kujtohet se gazetaria lokale nuk matet vetëm me lajmet që publikon, por edhe me presionin që përballon për t’i publikuar ato. /Pejanefokus.net/Editorial/
