Tensione në Kuvendin e Pejës, mungon sqarimi zyrtar

Peja në Fokus raportoi ekskluzivisht për tensionet në Kuvendin Komunal të Pejës, pasi ishte duke e monitoruar drejtpërdrejt zhvillimin e seancës online. Përplasja verbale mes dy asambleistëve, ndërprerja e transmetimit dhe reagimet e mëvonshme politike kanë nxitur debat për atë që ndodhi në sallën e Kuvendit.

Në mbledhjen e gjashtë të këtij viti të Kuvendit Komunal të Pejës janë shfaqur tensione në minutat e fundit të seancës, pas një përplasjeje verbale mes asambleistit të AAK-së, Shaban Ramaj, dhe atij të LDK-së, Atdhe Berisha.

Në momentin e tensionimit të situatës, transmetimi i drejtpërdrejtë i seancës është ndërprerë, duke lënë paqartësi për zhvillimet në sallën e Kuvendit.

Peja në Fokus, gjatë monitorimit të seancës online, ka evidentuar momentet e tensionit para ndërprerjes së transmetimit dhe më pas ka kontaktuar zyrtarët përgjegjës të Kuvendit Komunal për të marrë sqarime lidhur me rastin.

Sekretari i Kuvendit Komunal të Pejës, Avni Gashi, kishte mohuar se kishte pasur incident, duke deklaruar se bëhej fjalë vetëm për debat mes asambleistëve.

“Për momentin jemi në seancë, nuk ka pasur asnjë incident. Thjesht ka qenë një debat, pastaj kryesuesi ka kërkuar pauzë”, kishte deklaruar Gashi për Peja në Fokus.

Megjithatë, gjatë monitorimit të transmetimit të seancës, janë vërejtur momente tensioni, afrim mes disa asambleistëve dhe ndërhyrja e personave të tjerë në sallë, para ndërprerjes së transmetimit dhe vazhdimit të seancës pas pauzës.

Përplasjen verbale mes asambleistëve e kanë konfirmuar edhe disa anëtarë të Kuvendit Komunal të pranishëm në sallë.

Pas përfundimit të mbledhjes, partitë politike kanë reaguar me versione të ndryshme për zhvillimet.

VV: Situata degradoi në tentativa për përplasje fizike

Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë të ditur se e kanë lëshuar seancën, duke pretenduar se nuk ishin plotësuar kushtet minimale për zhvillimin e saj në mënyrë të rregullt dhe demokratike.

Sipas VV-së, gjatë seancës kishte probleme me funksionimin e pajisjeve të diskutimit dhe votimit në anën e opozitës, si dhe “provokime të vazhdueshme”.

“Situata degradoi në tentativa për përplasje fizike”, thuhet në reagimin e VV-së.

Kjo parti ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seanca ku, sipas saj, cenohen rregullat demokratike dhe pengohet opozita në ushtrimin e rolit të saj.

AAK: Përplasja erdhi pas debatit për shpërndarjen e traktorëve

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar duke thënë se situata është tensionuar gjatë debatit për procesin e shpërndarjes së traktorëve.

Sipas AAK-së, gjatë seancës drejtori i Bujqësisë është marrë me “sulme personale” ndaj përfaqësuesve të kësaj partie, ndërsa kryesuesi i Kuvendit ia ka ndërprerë fjalën asambleistit të saj, Drin Veselaj.

“Pas kundërshtimeve për këtë veprim, situata u tensionua edhe më tej, ndërsa më pas shpërtheu edhe një përplasje verbale mes dy anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Aleanca ka thënë se asambleistët e saj kanë kontribuar në qetësimin e situatës dhe vazhdimin normal të seancës.

Kryesuesi Kurtbogaj: Ishte përplasje verbale, situata u tejkalua

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Rexhep Kurtbogaj, ka reaguar përmes profilit të tij personal në Facebook lidhur me ngjarjen.

Ai ka thënë se gjatë seancës ka pasur një përplasje verbale ndërmjet disa anëtarëve të Kuvendit, por sipas tij situata është tejkaluar menjëherë.

“Pas kërkimfaljes së ndërsjellë, seanca vazhdoi normalisht deri në përfundim, duke i shqyrtuar dhe miratuar pikat e rendit të ditës sipas procedurave të parapara”, ka shkruar Kurtbogaj.

Ai ka theksuar se një moment i izoluar nuk duhet ta zbehë traditën e debatit demokratik në Kuvendin Komunal të Pejës.

Komuna pa sqarim zyrtar për ngjarjen

Pas tensioneve të shfaqura gjatë seancës, Komuna e Pejës nuk ka publikuar ndonjë sqarim zyrtar për ngjarjen, ndërsa në njoftimin institucional është pasqyruar vetëm mbajtja e seancës së Kuvendit Komunal.

Reagimi i vetëm nga udhëheqja e Kuvendit ka ardhur përmes profilit personal në Facebook të Kryesuesit Rexhep Kurtbogaj.

Përderisa deklarimi i tij është bërë përmes një llogarie private, ende mungon një qëndrim zyrtar i institucionit të Kuvendit Komunal të Pejës lidhur me rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.

Sqarim: Deklarata e Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Pejës, Rexhep Kurtbogaj, është publikuar në profilin e tij personal në rrjetin social Facebook dhe nuk përbën komunikatë zyrtare të institucionit. Mediat nuk kanë obligim të përcjellin publikimet personale të zyrtarëve publikë, por mund t’i raportojnë ato kur përmbajtja e tyre lidhet me çështje me interes publik.  /Peja në Fokus.net/Ju flet Peja/

LEXO EDHE: