Shpeshtohet përdorimi i armëve në rajonin e Pejës

Të shtënat në ahengje familjare përsëriten në Pejë, Klinë e Deçan, ndërsa në Istog një person u qëllua pas një mosmarrëveshjeje, e nga ana tjetër, Policia tha se ka sekuestruar pistoleta, karikatorë, fishekë e gëzhoja.

Brenda vetëm një jave, në rajonin e Pejës janë raportuar disa raste të lidhura me përdorimin apo posedimin e paautorizuar të armëve.

Nga 6 deri më 12 gusht, Policia e Kosovës ka raportuar pesë raste, në Pejë, Istog, Klinë dhe Deçan, ku armët janë përdorur ose janë gjetur në posedim të personave të dyshuar.

Klinë – të shtëna gjatë ahengut

Më 6 gusht, në Klinë është iniciuar rast për posedim të paautorizuar dhe përdorim të armës, ku sipas Policisë, një person, gjatë një ahengu, ka shtënë disa herë me armë zjarri, për çka u tha se rasti vazhdon të hetohet.

Istog – qëllohet me armë pas një mosmarrëveshjeje

Më 7 gusht, rreth orës 20:35, në Istog është raportuar një rast i vrasjes në tentativë, ku sipas Policisë, pas një mosmarrëveshjeje, një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër, ndërsa i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, kurse i dyshuari ndodhet në kërkim të Policisë.

Deçan – pistoletë me gas dhe tri gëzhoja

Më 8 gusht, në Strellcin e Poshtëm të Deçanit, një person është arrestuar pasi dyshohet se gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri, ku në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një pistoletë me gas dhe tri gëzhoja, kurse i dyshuari është liruar pas intervistimit, me vendim të prokurorit.

Istog – armë, karikator dhe katër fishekë

Po më 8 gusht, në Cerkolez të Istogut, gjatë kontrollit te një person janë gjetur dhe sekuestruar një armë, një karikator dhe katër fishekë, ku i dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

Pejë – dy raste me të shtëna në ahengje brenda një dite

Më 12 gusht, në rrugën “Brigada Adrian Krasniqi” në Pejë, një person është arrestuar nën dyshimin se gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri, ku Policia ka gjetur dhe konfiskuar armën që dyshohet se është përdorur.

Vetëm disa orë më vonë, rreth orës 23:00, një tjetër rast është raportuar në Jabllanicë të Vogël – edhe këtu, një person dyshohet se gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë, për çka Policia ka sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë, një fishek dhe dy gëzhoja.

Edhe këta dy të dyshuar janë liruar dhe rastet do të procedohen në procedurë të rregullt.

Katër raste me të shtëna në ahengje

Ajo që bie në sy në këto raste është përsëritja e të shtënave me armë gjatë ahengjeve familjare.

Të tilla raste janë raportuar në Klinë, Strellc të Deçanit, Pejë dhe Jabllanicë të Vogël.

Ndërsa në Istog, arma dyshohet se është përdorur pas një mosmarrëveshjeje, me pasojë plagosjen e një personi dhe inicimin e rastit për vrasje në tentativë.

Të dhënat e mësipërme janë bazuar në raportimet zyrtare të Policisë së Kosovës për periudhën 6–12 gusht 2026./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

LEXO EDHE: