Trotuari publik në afërsi të stadiumit të qytetit në Pejë është liruar nga kubëzat dhe materiali përcjellës, pasi gjendja e tij ishte raportuar nga banorë të lagjes “Dardania” te Peja në Fokus.
Banorët kishin dërguar në redaksi fotografi ku shihej se një pjesë e trotuarit ishte mbuluar me kubëza dhe rërë, ndërsa pas reshjeve ishte krijuar edhe llum, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve.

Kliko lajmin e raportuar në këtë link:
https://www.facebook.com/share/p/1BsbMUpHwu/
Pas pranimit të raportimit, Peja në Fokus kishte kontaktuar Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës për të marrë sqarime lidhur me gjendjen e krijuar. – Në atë kohë, nga drejtoria nuk kishin informacion se si kishte ardhur deri te vendosja e kubëzave në atë pjesë.
Pas publikimit të rastit, redaksia është kontaktuar nga një qytetare, e cila ka dërguar fotografi të reja dhe ka njoftuar se kubëzat dhe llumi tashmë janë larguar nga trotuari.

Ajo ka sqaruar se kubëzat ishin vendosur përkohësisht aty në trotuar, për shkak siç ka thënë ajo, të mungesës së hapësirës tjetër për vendosjen e tyre dhe gjendjes së ngushtë të rrugës.
“Nga pamundësia me i vendos diku tjetër, sepse vendi dhe gjendja e rrugës ishte e ngushtë, për atë arsye janë vendos aty edhe çështja tjetër e punës. Nuk kanë ardhur punëtorët, për arsye se janë nxënë, kanë mbet në atë gjendje”, ka sqaruar qytetarja.
Sipas saj, kubëzat janë marrë për t’u përdorur në një punim që planifikohet të bëhet në trotuarin publik para lokalit të bashkëshortit të saj.
“Po, ne i kemi marrë për me vendos në trotuarin ku veç don me startu burri me punë, këto kubëza të rrugës me vendos në trotuar publik”, ka thënë ajo, ndonëse nuk ka bërë të ditur se ku ishin të vendosura më herët aku kubëza.
Me largimin e kubëzave dhe materialit të mbetur, kjo pjesë e trotuarit është liruar dhe është bërë e kalueshme për këmbësorët.
Deri në publikimin e këtij artikulli, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës, e cila ishte kontaktuar nga Peja në Fokus për rastin, nuk ka pasur një reagim të mëtejmë.
Rasti u trajtua nga redaksia pas raportimeve dhe interesimit të qytetarëve për gjendjen e një hapësire publike të frekuentuar nga këmbësorët./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
