Peja në Fokus ka pranuar informatë se prindërve të nxënësve në shkollën “Bajram Curri” në Istog u janë kërkuar 35 euro për blerjen e uniformës për fëmijët e tyre.
Lidhur me këtë çështje, redaksia ka kontaktuar drejtoreshën e shkollës, Lumnije Fejzaj, e cila ka dhënë sqarime lidhur me vendimin, çmimin dhe mënyrën e organizimit të pagesës.
Fejzaj ka thënë se kërkesa nuk është bërë nga ajo si drejtoreshë, por se bëhet fjalë për vendim të organeve të shkollës dhe prindërve.
“Drejtoresha nuk kërkon para. Vendimi është i prindërve”, ka thënë Fejzaj për Peja në Fokus.
Ajo ka konfirmuar se 35 euro është çmimi i setit, duke sqaruar se uniforma përfshin disa pjesë të veshjes.
“Ato janë veshje tre sezonale, besa katër, me logo e me krejt, është maicë, bluzë me mëngë të gjata edhe është duks”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, iniciativa ka ardhur nga prindërit dhe janë paraparë lehtësime për familjet me më shumë fëmijë dhe për fëmijët me nevoja.
“Fëmijët me nevojë falas, kush i ka tre fëmijë, për një e paguan për dy jo, kush i ka 4 për 2 i paguan e për 2 jo”, ka thënë Fejzaj.
Drejtoresha ka sqaruar edhe mënyrën e mbledhjes së mjeteve, duke thënë se ato nuk mblidhen nga drejtoria e shkollës.
“Prindi i mbledh vet, diku ku është 20 nxënës i mbledh prindi për ta. Ajo paguhet rata, rata, e secila klasë veç e veç”, ka deklaruar ajo.
Fejzaj ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Prindërve kanë marrë pjesë 45 persona.
“45 kanë qenë në Këshill të Prindërve, tre kanë reaguar, e 42 pro”, ka thënë ajo.
Ajo është thirrur edhe në rregulloren e brendshme të shkollës, duke pretenduar se aty përcaktohet obligimi për uniformën dhe logon e shkollës.
“Neni 23 pika 3 edhe 4 thotë nxënësit duhet të vinë të pajisur me uniforma dhe logo të shkollës, është rregullorja e brendshme, është neni i KDSH-së. KDSH-ja vepron”, ka deklaruar Fejzaj.
Drejtoresha ka thënë se KDSH-ja është organi vendimmarrës i shkollës dhe se, sipas saj, drejtoria nuk ka rol në mbledhjen e parave.
DKA e Istogut me qëndrim tjetër
Ndërkohë, drejtori i Arsimit në Komunën e Istogut, Naim Behlulaj, përmes një njoftimi publik ka dalë me qëndrim kundër mënyrës së organizimit të blerjes së uniformave.
“Çdo kërkesë për blerjen e uniformave nga ana e prindërve është në kundërshtim me politikat dhe qëndrimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit”, thuhet në njoftimin e DKA-së.
Sipas DKA-së, për iniciativa të tilla duhet të merret paraprakisht pëlqimi i saj dhe të ndiqen procedurat përkatëse.
“Për çdo iniciativë të tillë, fillimisht duhet të merret pëlqimi nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe të ndiqen procedurat e përcaktuara ligjore, përfshirë procedurat e prokurimit publik, në rastet kur ato janë të aplikueshme”, thuhet në njoftim.
Behlulaj ka bërë të ditur se DKA e kundërshton organizimin e blerjes së uniformave përmes mjeteve të prindërve pa autorizim institucional.
“E kundërshtojmë formën e organizimit të blerjes së uniformave përmes mjeteve të prindërve, pa procedurat dhe autorizimet përkatëse institucionale”, thuhet në reagim.
Në të njëjtin njoftim, DKA u ka bërë thirrje prindërve që të mos japin mjete financiare edhe për roleta apo pajisje të tjera për nevojat e shkollës.
“Asnjë prind të mos japë mjete financiare për blerjen e roletave apo pajisjeve të tjera për nevojat e shkollës”, thuhet në njoftim.
Pra, për rastin e shkollës “Bajram Curri”, drejtoresha Lumnije Fejzaj thotë se uniforma është vendim i KDSH-së dhe prindërve, duke iu referuar edhe rregullores së brendshme të shkollës, ndërsa DKA e Istogut kërkon pëlqim paraprak dhe respektim të procedurave institucionale për çdo iniciativë të tillë./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
