A po mjafton vetëm Facebook-u për debatin publik në Pejë?

A po mjafton vetëm Facebook-u për debatin publik në Pejë?

Shkruan: Valdrin Daci – Gazetar.

Në Pejë, sikurse në shumë komuna të Kosovës, një pjesë e madhe e debatit politik lokal po zhvillohet gjithnjë e më shumë përmes statuseve në Facebook. Reagime, akuza, pretendime apo kritika ndaj institucioneve komunale shpesh publikohen vetëm në rrjete sociale, duke krijuar më pas pritjen që ato të shndërrohen automatikisht në tema të debatit publik.

Por shtrohet pyetja: a mjafton një status në Facebook për ta ngritur seriozisht një çështje me interes për qytetin?

Rrjetet sociale sot janë mjet i fuqishëm komunikimi dhe padyshim kanë ndihmuar që zëri i opozitës, qytetarëve dhe vetë institucioneve të dëgjohet më shpejt.

Megjithatë, debati publik në një qytet nuk mund të mbështetet vetëm mbi postime të shpërndara në internet.

Sidomos në nivel lokal, ku shumë tema kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve — nga urbanizmi, infrastruktura, buxheti, investimet, arsimi apo shëndetësia — komunikimi duhet të jetë më i organizuar dhe më serioz.

Nëse opozita lokale në Pejë konsideron se një çështje është e rëndësishme për qytetarët, atëherë konferencat për media, deklarimet publike, debatet qytetare apo prezantimi i dokumenteve do t’i jepnin më shumë peshë diskutimit.

Kjo jo vetëm që do ta ndihmonte informimin e publikut, por edhe do t’u krijonte mediave mundësi më të mira për të raportuar dhe për të bërë pyetje konkrete.

Mungesa e aktiviteteve konkrete dhe e një opozitarizmi më aktiv në terren ndikon drejtpërdrejt edhe në jetën publike të qytetit. Kur debatet mbesin vetëm në rrjete sociale, zvogëlohet presioni publik ndaj institucioneve dhe rritet mundësia për keqpërdorime, mungesë transparence dhe vendimmarrje pa mbikëqyrje të mjaftueshme.

Po ashtu, mungesa e debatit të organizuar dhe e reagimit publik ndikon edhe në stagnimin e zhvillimit të qytetit dhe komunës.

Një opozitë aktive nuk ka rol vetëm kritikues, por edhe rol shtytës për projekte më të mira, politika më efikase dhe përgjegjësi më të madhe institucionale.

Në të kundërtën, shumë reagime rrezikojnë të mbesin vetëm brenda ritmit të zakonshëm të rrjeteve sociale: publikohen, komentohen për disa orë dhe më pas humbin në rrjedhën e pafundme të postimeve të ditës.

Kjo natyrisht nuk është përgjegjësi vetëm e opozitës. Edhe institucionet lokale në Pejë shpesh kanë zgjedhur komunikimin promocional në rrjete sociale më shumë sesa transparencën e drejtpërdrejtë dhe përballjen me pyetjet e mediave.

Megjithatë, opozita ka një rol të rëndësishëm në jetën demokratike të qytetit: të mbikëqyrë pushtetin, të nxisë debat publik dhe të sjellë alternativa konkrete.

Për këtë, ndoshta ka ardhur koha që debati politik lokal të dalë pak më shumë nga statuset dhe të kthehet më afër qytetarëve.

Sepse Peja ka nevojë jo vetëm për reagime të shpejta online, por për diskutim publik më serioz, më të argumentuar dhe më transparent./Pejanefokus/N’Fokus+

LEXO EDHE: