Asambleistët e Pejës akoma në ‘pushim’

Mbledhja e parë e vitit 2026 e Asamblesë së Kuvendit të Komunës së Pejës, e cila zakonisht mbahet në fund të çdo muaji, këtë herë nuk do të mbahet.

Asambleistët e legjislaturës së re, të dalë nga zgjedhjet e tetorit 2025, kanë deklaruar për Peja në Fokus se nuk kanë marrë ftesa apo rendin e ditës, i cili duhet të njoftohet të paktën 7 ditë para mbledhjes.

Sekretari i Kuvendit, Avni Gashi, ka thënë se ende nuk është thirrur mbledhja dhe duket se nuk do të mbahet këtë muaj, pa dhënë arsyet për këtë vonesë.

Ai ka sqaruar se mbledhjet i thërret kryesuesi i Kuvendit dhe rendi i ditës vendoset në marrëveshje me kryetarin e komunës.

Ndryshe, mbledhja e parë e legjislaturës së re ishte mbajtur më 10 dhjetor 2025, ku u betuan asambleistët dhe kryetari Gazmend Muhaxheri për mandatin e katërt.

Deri tani nuk ka njoftime zyrtare për drejtorë të emëruar apo koalicione të reja, edhe pse jozyrtarisht thuhet se bashkëpunimi me PDK-në do të vazhdojë.

Peja në Fokus do të ju mbajë të informuar për çdo zhvillim./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: