“Brenda Katër Mureve” përcolli emocione të forta në Hamamin “Haxhi Beu” 

Shfaqja “Brenda Katër Mureve” solli emocione të forta mbrëmjen e së hënës në Hamamin “Haxhi Beu” në Pejë, ku një numër i madh artdashësish ndoqën interpretimin e Fitore Broqit dhe Agon Balës.

Nën regjinë e Fatbardha Shalës dhe me muzikë të Memli Kelmendit, shfaqja riktheu para publikut ankthin, frikën dhe shpresën e një çifti që përpiqet të mbijetojë gjatë luftës së fundit në Kosovë, brenda katër mureve të shtëpisë së tyre.

Ndër momentet më prekëse ishte largimi i burrit për të siguruar bukën mes krismave të luftës dhe rikthimi i tij, që ringjall shpresën e familjes.

Kulmi dramatik vjen kur shtëpia pushtohet nga paramilitarët dhe, mes dhunës e dhimbjeve të lindjes, në jetë vjen fëmija i çiftit, ndërsa lehona humb jetën.

Interpretimi i aktorëve dhe koncepti regjisorial përcollën një mesazh të fuqishëm mbi pasojat njerëzore të luftës, duke e lënë publikun në heshtje dhe emocione të thella./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: